Përmes deklaratës së sekretarit për Çështje Zgjedhore, Ivi Kaso, Partia Demokratike ka paralajmëruar se kryebashkiaku i ri i Lezhës, Pjerin Ndreu do të shkojë para drejtësisë me pranga në duar, pasi “vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen.”

Deklarata e plotë

“Reagimi i Pjerin Ndreu është ai i një trafikanti, që ndjehet i sigurtë nga mburoja e bosit të trafikantëve dhe kriminëleve, i ulur në karrigen e kryeministrit të vendit.

Lulzim Basha patjetër që do të vijë në Lezhë, ku ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve të saj për të drejtuar vendin dhe për t’u hapur rrugë planeve të zhvillimit në Lezhë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Por si fillim, Bashkia e Lezhës do të çlirohet nga trafikanti që e ka uzurpuar atë dhunshëm! Pjerin Ndreu dhe çdo anëtar tjetër i bandës së Edi Ramës, me të cilët ai mban pushtetin e tij kriminal, do të dalin nga politika dhe do të shkojnë para drejtësisë me pranga në duar. Zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit dhe vjedhja e zgjedhjeve në Dibër, ku Pjerin Ndreu është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin, do të ndëshkohen!

Rrugët e Perëndisë për të bërë drejtësi janë të pafundme!” përfundoi Kaso.

Ky reagim erdhi pas një postimi të Ndreut në Facebook, drejtuar kryeopozitarit Lulzim Basha.
“Për Lulzim Bashën: Zoti kryetar i opozitës të pres për një vizitë në Bashkinë e Lezhës, ku të diskutojmë për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e qytetit. Keni rol për të luajtur në planet e zhvillimit dhe jam gati të vë shiritin e të pres. Sa për inkriminimin tim, së shpejti shihemi në Gjykatë. As ti e as perëndia me qiell nuk ka shansin të më gjejë qoftë nje element sado të vogël inkriminimi.

Kohë para teje janë bërë prova serioze nga më të zote se ti për të më gjetur fakte e prova inkriminimi, por kanë dështuar me turp. Lëri llafet në erë se i sqarojmë në gjykatë, por më thuaj kur do vish në Lezhë të pres!” shkroi Ndreu.

Në foto: Pjerin Ndreu

Top Channel