Një projektligj i ri i Ministrisë së Financave do të ndryshojë tërësisht sistemin përmes të cilit biznesi dokumenton dhe raporton aktivitetin e tij tek tatimet duke nxjerrë jashtë loje kasat fiskale.
Pjesë e reformës për fiskalizimin, projektligji synon të mbyll shtigjet për evazion fiskal sipas një modeli të zbatuar në Itali dhe Kroaci.
Por si do të preket biznesi nga kjo mas? Sipas draftit, që Ministria e Financave pritet të hedhë për konsultim publik, çdo biznes me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit është i detyruar të pajiset me një program të ri kompjuterik, i cili mund të instalohet në kompjuter, në telefonat smart ose edhe tek një pjesë e kasave fiskale ekzistuese, të cilat kanë model të avancuar.
Programi kompjuterik do të jetë i lidhur me një printer fiskal dhe duke filluar nga një janari i vitit të ardhshëm çdo shitje e biznesit tek konsumatorët do të kryhet vetëm përmes tij. Pra çdo transaksion shitje do të regjistrohet në program dhe ky i fundit përveçse printon faturën e shitjes, automatikisht transmeton në kohë reale transaksionin e kryer në serverin e tatimeve.
Viti i ardhshëm është vetëm faza e parë e fiskalizimit. Në vitin 2021, programi i ri do të zbatohet edhe për shitjet që bizneset bëjnë tek njëra tjetra, ato të cilat sot dokumentohen me faturë fizike tvsh-je. Paralelisht me këto masa, të gjitha bizneset e regjistruara në Shqipëri do të detyrohen të pajisen me firmën elektronike, e cila certifikon çdo dorëzim bilanci apo raportim që biznesi bën online.
Instalimi i kësaj reforme pritet të ketë një kosto shtesë për biznesin. Sipas Ministrisë së Financave programi i ri kompjuterik përllogaritet të ketë një kosto nga 60 deri në 80 euro në vit, ndërsa pajisja me firmë elektronike do të kushtojë 4 mijë lekë në vit. Por Ministra e Financave thotë se sistemi i ri lehtëson biznesin nga kostot e kasave fiskale, të cilat nuk do të jenë më të domosdoshme, por mund të zëvendësohen edhe nga një telefon i thjeshtë smart.
Top Channel