Vala e të nxehtit që ka goditur vendin tonë evidenton një problematikë serioze, atë të goditjes nga dielli.

“Goditja nga dielli është humbja e vetëdijes për shkak të kalimit nga temperatura të freskëta në temperatura të larta të këtyre ditëve. Vapa shkakton zgjerimin e enëve të gjakut. Duhen shmangur orët e pikut. Rrezikojnë fëmijët, mosha e tretë, por edhe sportistët ambiciozë që stërviten shumë”, ka thënë mjekja Nirvana Mithi.

Qytetarët duken të vetëdijshëm për pasoja që lë goditja nga dielli.

“Rri në shtëpi në orët e pikut, kam frikë të dal. Më ka rënë dy herë të fiket. Lutemi të bjerë shi, se po digjet toka. Plasëm nga vapa, në autobuse nuk ka kondicionere edhe në ambulanca nuk ka, plasëm”, shprehen qytetarët.

Vala e të nxehtit që njihet ndryshe si vrasësi i heshtur, do të zgjasë gati gjithë javën me temperatura deri ne 40 gradë celcius.

“Nëse shikoni një njeri në gjendje të fikëti çojeni me kujdes në një vend të freskët, lageni me peshqirë me ujë të ftohtë dhe këmbët i vendosen pak më lart se trupi”, shton mjekja.

Top Channel