Presidenti Meta shfrytëzoi takimin e lamtumirës me Ambasadoren e Sllovenisë, Lea Stançiç për të ritheksuar edhe një herë se vendi ndodhet në një krizë të rëndë dhe duhet rikthyer në shinat e demokracisë dhe të shtetit ligjor përpara vendimit të tetorit për çeljen ose jo të negociatave me BE-në.

“Kjo mbështetje na inkurajon për të shtuar përpjekjet tona për kapërcimin e krizës së rëndë ku ndodhet vendi dhe rikthimin urgjent në shinat e demokracisë dhe shtetit ligjor, për t’i shërbyer objektivit strategjik të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë mbledhjes së Këshillit të 17-18 tetorit” thekson Meta.

Në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca thuhet se Meta pasi vlerësoi kontributin e Ambasadores Stançiç për forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona mike, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Sllovenisë janë shumë të mira dhe se ekzistojnë hapësirat për të forcuar më tej ato ekonomiko-tregtare.

“Dëshmi e ecurisë mjaft të mirë të marrëdhënieve janë vizitat e shpeshta të autoriteteve më të larta sllovene, të cilat kulmuan me vizitën e Presidentit Pahor në Shqipëri.” – tha Presidenti Meta.

 

Top Channel