Tre letër-porosi nga Kosova dhe Italia/ Lidhja e trafikut të drogës mes Avdylajve, laboratorit në Has, Seferit dhe Mehmetit

15/07/2019 19:56

Dy  letër-porosi të mbërritura nga Italia dhe Kosova kanë konfirmuar për Prokurorinë e Krimeve të Rënda se grupi i Adylajve, grupi i drejtuar nga Hajri Seferi, grupi i cili kishte ngritur laborator heroine në Has si edhe zgjatime të rrjetit të trafikantëve në Fier dhe Delvine, ushtroni aktivitetin e trafikut te drogës jo vetëm në Shqipëri por edhe ne Kosovë, Itali, Holande dhe Britaninë e Madhe.

Këto të dhëna, të cilat po përkthehen në Ministrinë e Drejtësisë dhe disa prej të cilave janë paraqitur si prova shtesë pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, janë objekt i një hetimi mjaft sekret, të drejtuar nga dy prokurorët e çështjes zoti Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.

Deri  më tani numri i të arrestuarve është 74 persona, prej të cilëve 44 janë të arrestuar për narkotrafik, veçanërisht për shpërndarje droge në Shqipëri , për laboratorin e heroinës në Has, por edhe episode të tjera, të zbuluara nga përgjimet,  të cilat zbuluan se si katër grupe kriminale në vend bashkëvepronin.

Përgjimet  tregojnë se si shtetasi Esat Mehmeti, i njohur me nofkën “Cakja”, drejtonte trafikimin e kanabisit përmes Semanit me drejtim Italinë. Trafiku zhvillohej përmes skafisteve dhe në një rast në Bari janë sekuestruar dy ton kanabis sativa. Kjo  sasi kanabisi është konfirmuar përmes letër-porosisë nga autoritetet italiane, ku tregohet konkretisht roli i Mehmetit po edhe i anëtareve të tjerë të grupeve kriminale.

Nga  ana tjetër përgjimet tregojnë gjithashtu edhe rolin e shtetasit Abedin Kuçi, i njohur ndryshe si djali i tezes se Klement Balilit. Dyshohet  se ky shtetas mbulonte shpërndarjen e drogës në jug të vendit, kryesisht në Fier dhe Sarandë, kryesisht të drogave të forta; kokainë dhe heroinë. Kosova i konfirmon Shqipërisë se sasia prej 159 kg heroinë e bllokuar në fund të vitit 2018 në Kosovë, ka lidhje me laboratorin e Hasit. Të  dhënat e para hetimore tregojnë se kjo sasi heroine vinte përmes linjës së Iranit, përmes trafikantëve të tjerë kosovarë, turq po edhe shqiptarë, të cilët kishin arritur të instalonin një laborator heroine. Letër-porosi të tjera me interes për çështjen pritet të përkthehen edhe për trafikantit tjetër Hajri Seferi, i cili shikohet i dyshuar si trafikant i 200 kg kokaine, ku përfshihet edhe Holanda, por edhe Britania e Madhe.

 

Top Channel