Hapet qarkullimi i mjeteve në Bypass-in e Fierit. Ky segment rrugor do të jetë i hapur në një korsi, e cila do të funksionojnë për të dyja drejtimet derisa të përfundojë e gjithë rruga sipas projektit. 

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, inspektuan këtë segment rrugor cili po hapet për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit turistik.

“35 minuta më pak na duhen për të shkuar në Vlorë. Policia rrugore ka marrë të gjitha masat për të siguruar gjithçka”, deklaroi Balluku.

Përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet garantoi se në muajin nëntor të këtij viti do të vihet në funksion edhe korsia tjetër e këtij aksi, ndërsa e gjithë vepra do të jetë plotësisht e përfunduar, ashtu siç parashikon kontrata, në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Në nëntor hapet dhe tjetër, domethënë për 28 nëntorin për në Vlorë i kemi të dyja? Shumë mirë”, u shpreh kryeministri Rama.

Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash. Brenda dy javëve pritet të përfundojnë punimet edhe për vënien në funksion të kryqëzimit të Levanit i cili rregullon qarkullimin drejt Vlorës dhe Tepelenës. Projekti i Bypass-it të Fierit parashikon gjithashtu edhe ndërtimin e rrugëve dytësore gjatë gjithë gjatësisë në të dyja anët e rrugës.

Top Channel