Finalja e Europa League ndaj Arsenalit duket se ishte e fundit me fanellën e “bluve” të Londrës për Eden Hazard. Vet futbollisti belg e bëri të ditur këtë menjëherë pas përfundimit të sfidës, në një intervistë për rrjetin “BT Sport”, ndërkohë që destinacioni i tij i ri është pikërisht Reali i Madridit.

“Besoj se është një lamtumirë, është momenti për të provuar sfida të reja, edhe pse në futboll asnjëherë nuk dihet se çfarë ndodh”, tha Hazard në intervistën e tij.

“Të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, por drejtuesve të klubit u kam thënë se duhet të flasim. Do të marrim shumë shpejt një vendim. Objektivi im i vetëm ishte të fitoja këtë finale. Ëndrra ime ishte të luaja në Premier League dhe këtë e bëra te një prej klubeve më të rëndësishëm. Tani është momenti për një sfidë të re”, shtoi më tej belgu Hazard.

Ndërkohë, në medien spanjolle po flasin menjëherë për çështjen e transferimit të Hazard te Reali i Madridit. E përditshmja “AS” bën të ditur se klubi “merengues” do të bëjë ofertën përfundimtare për 28-vjeçarin, e nëse gjithçka do të shkojë mirë, Hazard pritet të mbërrijë në Madrid ditën e shtunë.

Top Channel