Pjesëmarrje historike për PE-në, ekstremistët ngjiten të udhëhequr nga Le Pen

26/05/2019 21:27

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen fitoi duelin e saj simbolik me presidentin Emmanuel Macron këtë të dielë, pasi forcat euroskeptike kanë fituar terren të konsiderueshëm në zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian.

Pjesëmarrja në rang europian është llogaritur në 51 për qind, më e larta në 20 vitet e fundit, duke nënkuptuar faktin që më shumë se 200 milionë qytetarë anembanë bllokut 28-anëtarësh kanë votuar në zgjedhjet e sotme, të konsideruara si një betejë mes populistëve dhe forcave proeuropiane.

Partitë e vjetra kanë bërë maksimumin për të mbrojtur shumicën në Asamblenë prej 751 ulësesh, ndërkohë që kanë përparuar edhe “të gjelbrit”, por fitorja e Le Penit në atë që u konsiderua si betejë kokë më kokë me Macronin përcakton tonet e kësaj nate.

“National Rally” i Le Penit pritet të sigurojë rreth 24-24.2 për qind të votave, ndërsa centristët e Macronit ndjekin me 22.5-23 për qind të votave, sipas dy “exit poll”-eve të kryera nga “Ifop-Fiduacial” dhe “Harris Interactive-Agence Epoka”.

Megjithatë, konservatorët, centristët dhe socialistët e vjetër të Parlamentit Europian do të përballen tashmë me një zgjedhje të vështirë: të ruajnë “kordonin sanitar” për të mbajtur radikalët larg kontrollit të pushtetit, apo të kënaqen me kaq dhe të gjejnë rehatim.

Në zgjedhjet e mëparshme të BE-së, që prej atyre të para të mbajtura në vitin 1979, ka pasur gjithnjë rënie të pjesëmarrjes, por sipas shifrave paraprake nga mbarë Europa, përplasja e kulturave gjatë këtij viti ka mobilizuar qoftë populistët, ashtu dhe ata që i kundërshtojnë ata.

“Dyshoj se, disa parti margjinale do të jenë më pak të tilla nga sot e tutje”, tha presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, teksa hodhi votën e tij në Luksemburg.

Sipas “exit poll”-eve të para, partia antiemigracion në Gjermani “AfD” ka tejkaluar pragun prej 10 për qind të votave, socialistët kanë humbur terren, kurse “të gjelbrit” janë ngjitur në vendin e dytë pas koalicionit të qendrës së djathtë në qeverisje.

Nëse qytetin portual të Sopotit, shefi i Këshillit Europian, Donald Tusk shprehu besimin se votuesit nuk do të dorëzohen përpara qasjeve të atyre që ai i quajti “lëvizje radikale politike, euroskeptike”. Por, ai pranoi se shanset ishin të larta. “Prioriteti ynë kryesor, jo vetëm për këtë institucion, është të ruajmë Bashkimin Europian si projekt, jo vetëm aktualisht por në një periudhë më afatgjatë. Jam i bindur se do t’ia dalim”.

Euroskeptikët kundërshtuan këtë projekt, me shpresën për të kapur të paktën një të tretën e vendeve të Parlamentit Europian, në mënyrë që të prishnin “konsensusin” prointegrimit të Brukselit. Në këtë aspekt, ekstremistët e Matteo Salvinit në Itali dhe Le Penit në Francë udhëheqin, por radhët anti-BE pritet të forcohen edhe me populistët e Nigel Farage të Britanisë së Madhe.

Konservatori gjerman, Manfred Weber, kandidati kryesor i grupit të qendrës së djathtë “EPP/PPE” lëvdoi interesin masiv të popujve europianë, duke thënë se “demokracia europiane është ende e gjallë”.

Britania dhe Holanda ishin të parat që votuan të enjten, të ndjekura nga Irlanda dhe Republika Çeke të premten, ndërsa Sllovakia, Malta e Letonia votuan të shtunën. Pjesa tjetër prej gati 400 milionë votuesish të ligjshëm duhej të shpreheshin këtë të dielë.

Në Holandë, partia e qendrës së majtë e zv.presidentit të BE-së, Frans Timmermans ka fituar shumicën e votave dhe ka rritur me dy vende përfaqësuesit e Socialistëve dhe Demokratëve në parlament, sipas “exit poll”-eve. Ndërkohë rivalët e EPP-PPE, “S&D” duket se po marrin shkas nga rezultatet paraprake që sugjerojnë se partia “Fine Gael” e kryeministrit Leo Varadkar po udhëheq në Irlandë.

Parlamenti Europian pritet të japë një rezultat paraprak duke filluar nga ora 23 e mbrëmjes së kësaj të diele.

Top Channel