Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje Fredi Bejlerin, i cili është në hetim për akte terroriste. Rihapja e hetimit për masakrën e Peshkepise në vitet ’90 nxori në skenë emrin e tij. Masakra u mor përsipër nga organizata terroriste, MAVI. Bejlerit me herët iu refuzua nga KQZ kandidimi për Bashkinë Himarë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka rihapur pas 25 vitesh dosjen që njihet ndryshe si “Masakra e Peshkëpisë”, pikërisht për këtë çështje është thirrur për t’u marrë në pyetje edhe Fredi Dhionis Bejleri.

Hetimet po drejtohen nga kryeprokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beci. Prokuroria ka marrë në shqyrtim edhe dokumentarin Marin Memës.

I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha, Fredi Bejleri tha: “Erdha në prokurori që të mbarojë baltosja dhe poshtërimi ndaj figurës sime për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditë dhe në muajin që është bërë veprimi unë kam qenë në Qipro. Dhe autoritet greke dhe ato shqiptare kanë provat që të ndalojnë poshtërimin e figurës time për veprimet e mia politike”.

I pyetur se çfarë mund të thotë se 1 vit pas kësaj masakre u ndalua nga autoritet greke së bashku me disa persona të tjerë, Frdi Bejleri refuzoi të përgjigjej.

  “Gjurmë Shqiptare”: Masakra e Peshkëpisë

Posta kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u përball prillin e vitit 1994 me një sulm agresorësh grekë, të cilët pasi vranë rojen ushtarin Arsen Gjini dhe komandantin e repartit kapiten i Parë Fatmir Shehu plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër.

Fiqiri Shehu vëllai i komandantit të postës kufitare, kapitenit të vrarë Fatmir Shehu kërkoi edhe një herë gjetjen e vrasësve.

Shoqatat patriotike dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga godina e ish – postës kufitare të Peshkëpisë, një objekt plotësisht i degraduar pas 25 vitesh, kanë kërkuar vlerësimin e figurave që kanë kontribuar për të mbrojtur kufijtë kombëtare dhe kthimin e dinjitetit për qindra efektivë të rënë në krye të detyrës. Ata kanë marrë nismën për nënshkrimin e një peticioni drejtuar ministrisë së brendshme ku kërkojnë vendosjen e emrave të dy dëshmorëve të Peshkëpisë kësaj ish – poste kufitare dhe një tjetër të ngjashmeje në kufi.

E regjistruar si një prej ngjarjeve më enigmatike të ndodhura përgjatë vijës kufitare me shtetin grek ngjarja e Peshkëpisë ka mbetur ende e pazbardhur, ndërsa ndër vite dëshmitarët kanë pohuar se agresorët që flisnin greqisht mund të jenë ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorë shqiptarë.

Top Channel