Akuzat ndaj Hungarisë: Nuk u jep ushqim azilkërkuesve

21/05/2019 21:29

Vetëm disa ditë pasi Viktor Orban pati një takim të përzemërt me Presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Hungaria merr një goditje të fortë nga Këshilli i Evropës.

Ai e akuzon qeverinë hungareze për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përdorim të retorikës antiemigrantëve që nxit qëndrimet ksenofobe, frikën dhe urrejtjen. Raporti i ashpër i komisioneres europiane të të drejtave të njeriut, Dunja Mijatovic, del në përfundimin se “shkelja e këtyre të drejtave” në Hungari ka pasur një efekt negativ mbi të gjithë “sistemin e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit” dhe se “duhet trajtuar me shumë urgjencë”.

Komisionerja, raporti i së cilës bazohet në takimet me ministra e grupe të shoqërisë civile gjatë vizitës 5-ditore në Hungari në muajin shkurt, lëshoi një breshëri kritikash dërrmuese për sistemin hungarez të azilit, i cili ka rezultuar sipas saj në një sistem që refuzon në mënyrë sistematike aplikimet e azilit.

Mijatovic jep alarmin edhe për përdorimin e dhunës së tepruar të policisë në largimin e shtetasve të huaj e kritikon dhe politikën e refuzimit të ushqimit për personat të cilëve u është hedhur poshtë kërkesa për azil.

Raporti publikohet në mesin e një ngërçi në Bruksel për ta sanksionuar ose jo Hungarinë për shkelje të sundimit të ligjit.

Top Channel