Daniele De Rossi do të largohet nga Roma në fundin e këtij sezoni, duke mbyllur një kapitull të lavdishëm në skuadrën e futbollit italian.

Lojtari me më shumë ndeshje me fanellën verdhekuqe, pas Francesco Tottit, ul siparin e një aventure të pabesueshme pas 615 ndeshjesh, edhe pse – siç tha në konferencën e fundit për shtyp, – do të donte të kishte qëndruar më shumë.

“Ma komunikuan largimin vetëm të hënën, por e kisha kuptuar me kohë. Kam folur gjithmonë pak, sepse nuk doja të dëmtoja skuadrën. Por ndihem ende futbollist dhe do të vazhdoj të luaj, edhe pse s’e kam vendosur se ku. Nëse do të ishte për mua do të rinovoja kontratën, por nuk ishte në dorën time. Nëse kam ndonjë ndeshje peng në karrierë, është ajo mes Romës dhe Liverpoolit”, tha Daniele De Rossi, futbollist i Romës.

Daniele De Rossi debutoi më 25 janar të vitit 2003, në ndeshjen mes Comos dhe Romës, e që prej asaj kohe spikati me fanellën e kryeqytetasve, që i garantoi edhe Kombëtaren e Italisë për shumë vite.

Top Channel