Ligji për Korporatën e Investimeve ka hyrë në agjendën parlamentare. Drafti parashikon krijimin e një shoqërie tregtare që zotërohet nga shteti, e që si objekt ka administrimin e pronave publike, përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimit, si dhe mobilizimin e kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve.

Debatet janë të mëdha për mënyrën e operimin të kësaj shoqërie, pasi ajo do të ketë qasje në çdo pronë publike që vlerëson të përshtatshme për investime, marrjen e huave dhe mund të operojë me rregullave të posaçme për tenderat.

Arben Malaj, ish-ministër Financash dhe Ekonomie në disa qeveri socialiste, thotë se Shqipëria ka nevojë për investime, si vendase, ashtu dhe të huaja. Sipas tij, një nismë e tillë duhet bërë për t’i ndihmuar të gjithë.

“Nëqoftëse bërja e ligjit, siç diskutohet, është bërë për projekte të caktuara që qeveria i di dhe krijon bazën ligjore, e nëqoftëse këto janë kompani serioze, kjo është një gjë shumë e mirë. Nëqoftëse bëhet për përfitime sporadike për investitorë konkretë, dëmet do të jenë më të mëdha sesa përfitimet”, tha Arben Malaj.

Malaj shton se ligjet për investimet strategjike duhet të jenë transparente në të gjitha fazat.

“Duhet të jenë transparante, duhet të jenë të paanshme, duhet të mbështesin zhvillimin, duhet të respektojnë të drejtat themelore të individëve, që ato të prodhojnë një produkt. Në rast të kundërt, gjithçka do të mbetet në letër”, tha Arben Malaj.

Top Channel