Lemurët ndodhen në mjedisin e tyre natyror vetëm në ishullin e Madagaskarit. Por nëse gjuetia pa leje dhe shpyllëzimi vazhdon në ritmet aktuale, ata mund të mos ekzistojnë më.

Për shkak të këtyre rreziqeve që vijnë nga njeriu, 95 për qind e lemurëve janë në rrezik zhdukjeje. Në këto pyje, në lindje të Madagaskarit, një task forcë e financuar privatisht, ka zbuluar dhjetëra kasolle që i përkasin masakruesve të paligjshëm të pyllit.

“Në këtë kamp ka rreth 100 persona, gra, fëmijë dhe trafikantë. Ne duhet të shkatërrojmë të gjitha këto kasolle në mënyrë që ata të mos kthehen më”, thotë Cyrill Nabé Tovolahy.

Përveçse po shkatërrojnë habitatin natyror të lemurëve, këta trafikantë druri vrasin kafshët për ushqim.

“Ata presin pemët dhe lënë vetëm një në mes. Atëherë lemuri nuk ka ku të shkojë tjetër. Trafikantët tundin pemën ku ai është ngjitur, kafsha bie dhe kapet prej tyre”, tregon Cyrill Nabé Tovolahy.

Në zona të tjera, bimësia ia lë vendin tokës së zhuritur. Këtu ata djegin dru për të krijuar qymyr, një tjetër aktivitet dëmtues. Në një vend ku paga mesatare është rreth 45 euro në muaj, paratë që vijnë nga ilegaliteti janë tentuese për shumëkënd. Por kjo ka një kosto të rëndë për ambientin. Në 60 vitet e fundit, thuajse gjysma e pyjeve të Madagaskarit, është zhdukur.

Top Channel