Distanca e pikëve nga ndjekësit më të afërt nuk iu ushtronte presionin, që zakonisht karakterizon fundsezonin në shumë kampionate elitare, e Partizani e tregoi shumë mirë këtë në Fushë Krujë, ku përballë Kastriotit vendas që shpreson ende te mbijetesa, dhuroi një pikë.

Takimi i javës së 30 të Superiores ishte vendimtar për krutanët, të cilët ishin më të vendosur për të luftuar për pikë në ndeshjen “në shtëpi” përballë kryesuesve që nuk kishin gjë për të humbur. E megjithatë, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, e me shumë të ndëshkuar me kartonë të verdhë, kryesisht nga radhët e “të kuqve”.

Në pjesën e dytë, Partizani kaloi në avantazh me anë të Mensah, që shfrytëzoi një top në zonë në minutën e 55-të, por shumë shpejt peshorja që anoi nga “demat” kryeqytetas do të vihej në barazpeshë, pasi 3 minuta më vonë do të barazonte Shehu pas një këmbënguljeje të gjatë.

Nga këtu e në vijim, duke llogaritur pak më shumë se 30 minuta nga koha e rregullt e shtesën prej gati 7 minutash, u pa një Kastriot që kërkoi gjithçka, edhe pse në mënyrë kaotike përpara portës kundërshtare. Partizani qëndroi më i tërhequr dhe tentoi të godiste me kundërsulm, duke qenë edhe në inferioritet numerik, por pa u sforcuar, ndërsa krutanët rrezikuan të fitonin edhe 11-metërsh në minutat shtesë, por për arbitrin nuk ishte kështu.

Tashmë Kastrioti e sheh veten vetëm 5 pikë larg Tiranës, që do të luajë me Kukësin ndeshjen e saj, kurse Partizani ngjitet në kuotën e 61 pikëve në krye të tabelës. Në ndeshjen tjetër, Laçit i mjaftoi goli i Ndriçim Shtubinës në minutën e 30 të pjesës së parë, për të marrë 3 pikë të vyera në synimet për kupat e Europës duke shkurtuar distancën me Kukësin e Flamurtarin.

Suksesi i kurbinasve erdhi mbi të gjitha nga pritjet e portierit Selmani. Ky i fundit arriti të ndalë jo vetëm tentativat e miqve në të gjithë lojën, por edhe një penallti të sulmuesit Dejvi Bregu, të fituar më parë nga Vangjeli.

Top Channel