Përfundimi në kohë i aksit Kardhiq-Delvinë rrezikohet seriozisht, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar ka anuluar tenderin për projektimin e tunelit.

Më 14 janar të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli fitues një bashkim kompanish, “F & S SHPK” dhe “CEC GROUP SHPK”, për hartimin e projektit me një vlerë prej rreth 20 milionë lekësh. Por, më pas, në fund të marsit kontrata nuk u zbatua, pasi nuk u financua brenda 60 ditësh nga ARRSH.

Sipas planifikimeve pas projektimit, puna për ndërtimin e tunelit duhej të niste në mes të këtij viti, madje në buxhet janë parshikuar edhe financimet, por shtyrja e tenderit të projektimit e bën të pamundur nisjen në kohë të punimeve, duke i bërë kështu të papërdorshme edhe pjesët e rrugës që kanë përfunduar.

Madje, nuk dihet as se kur do të rihapet gara e prokurimit. Kostoja e tunelit është parashikuar rreth 20 milionë euro, ndërsa rreth 8 milionë euro kushton lidhja me Delvinën dhe me pjesën tjetër të zonës së jugut.

Kjo rrugë shmang kalimin në Qafë Muzinë dhe Gjirokastrën. Tri lotet ku po punohet, tuneli dhe nyjet lidhëse, parashikohej të mbaronin në vitin 2020. Tani, vonesat mund të rrezikojnë ta shfazojnë tunelin për në vitin 2021 bashkë me sinjalistikën, duke bërë që një prej akseve më të rëndësishme që lidh Sarandën me pjesën tjetër të vendit, të jetë e papërdorshme duke ndikuar drejtpërdrejt në lëvizjen e turistëve.

Ndërtimi Kardhiq-Delvinë ka nisur që me Qeverinë “Berisha”, por vazhdimësia e projektit ishte ndërprerë. Fillimisht u parashikua që kjo rrugë të përfshihej në projektin “1 miliard euro” për ndërtimin e infrastrukturës përmes partneritetit publik-privat, por qeveria ndryshoi mendje duke pranuar që ta financojë vet, me një kosto totale prej gati 80 milionë eurosh.

Top Channel