Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli është përballur me gazetarët, në përfundim të sfidës ndaj Ajaxit, që pa bardhezinjtë të dështonin në provën e radhës për të triumfuar në Ligën e Kampionëve.

Agnelli pranoi supremacinë e holandezëve në këtë takim, por theksoi se bardhezinjtë kanë shumë gjëra për të cilat duhet të ndihen krenarë, në këto vite të fundit të historisë.

Një Ajax mjaft i mirë…
Absolutisht. Duhet të jemi të sinqertë në këto momente, Ajaxi e ka merituar totalisht kualifikimin, në një ndeshje mjaft të bukur. Por jemi prej 5 vitesh në 8 më të mirat në Europë dhe kjo na bën krenarë.

Ku fillojnë dobësitë e Juves?
Ajaxi e ka merituar plotësisht. Ata ecin me cikle dhe kanë filluar gjithçka nga finalja e Europa Leagues, më 2017-ën, duke u rritur vazhdimisht dhe duke dhuruar këtë futboll. Në këto kompeticione, 30 minuta lojë më e mirë se ajo e kundërshtarit, është vendimtare. Duhet të bëjmë një vlerësim kompleks, pasi të shtunën mund të fitojmë titullin e tetë radhazi në kampionat, ndërsa kemi kaluar nag vendi i 43-të, në atë të 5-të, në renditjen për klube.

Ka zhgënjim për mënyrën se si jeni eliminuar?
Ajaxi ka vënë në vështirësi Bayernin e Mynihut, Realin e Madridit dhe Juventusin, klubet numër 1, 3 dhe 5 të renditjes. Duhet t’u bëjmë atyre komplimente, pasi është normale që jemi të zhgënjyer, por duhet t’u njohim meritat. Bëjnë një futboll spektakolar, ndaj duhet të gjejmë kurajën t’u bëjmë komplimente.

Ju vjen keq që u përballët me ekipin surprizë të kompeticionit?
Ky Ajax ngjan me Monacon e vitit 2017, një grup të rinjsh shumë të talentuar, që kanë një dëshirë të jashtëzakonshme për t’u afirmuar. Pas një ose dy vitesh, shumë prej këtyre futbollistëve, do të jenë emrat më të mëdhenj të futbollit.

A do të vijojë Allegri në pankinë?
Po. ka edhe një vit kontratë me ne dhe do të diskutojmë për zgjatjen e saj. Ai, Paratici, Marco Re dhe Giorgio Ricci, janë liderë që premtojnë një të ardhme të madhe.

Top Channel