Deputetët e opozitës së re kërkojnë interpelancën e parë me një anëtar të qeverisë. Ralf Gjoni, nga lista e LSI-së, dhe Myslim Murrizi, nga lista e PD-së, do t’i kërkojnë ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj shpjegime për grabitjen e ndodhur në Rinas.

Interpelanca do të mbahet këtë të enjte dhe kërkesa e 11 deputetëve të opozitës ka si pyetje kryesore planin e masave të marra nga institucionet ligjzbatuese për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Pyetur nga Top Channel, deputeti Ralf Gjoni tha se propozimin për interpelancë e bëri, pasi beson se janë shkelur rëndë rregullat e ruajtjes së sigurisë së aeroportit dhe jetës së qytetarëve.

“Grabitja e habitshme e aeroportit gjatë javës së shkuar është tregues i qartë se, Shqipëria ka probleme serioze me ruajtjen e territorit të saj dhe se shteti nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të garantuar sigurinë kombëtare. Ndaj dhe Kuvendi e ka për detyrë t’i kërkojë llogari ministrit të Brendshëm për masat që po merren në këtë drejtim. Falënderoj deputetët firmëtare dhe në veçanti zotin Murrizi për mbështetjen e kësaj interpelance”, thotë Gjoni.

Gjatë seancës së shkuar të Parlamentit, duke replikuar me ministrin e Brendshëm, Gjoni u shpreh se, “pavarësisht respektit për ministrin Sandër Lleshaj, nëse ai do të ishte në vendin e tij do të jepte dorëheqjen, nëse autorët e grabitjes nuk arrestohen dhe paratë nuk konfiskohen”.

Ermonela Felaj, kryetare e Komisionit parlamentar të Sigurisë e përjashtoi mundësinë e thirrjes së autoriteteve përgjegjëse në një seancë dëgjimore në komision për grabitjen në Rinas.

“Çështja e Rinasit është çështje në hetim. Ne mundemi të thërrasim një seancë dëgjimore nëqoftëse do të ketë një kërkesë vetëm për të sqaruar publikun mbi rezultatin e hetimeve. Ndërkohë, nuk mundemi të ndërhyjmë ne, në hetimin që ka për detyrë të zhvillojë një organ i pavarur kushtetues, siç është Prokuroria”, tha Ermonela Felaj.

Top Channel