Ligj për më shumë taksa mbi “Bankers”. Kompanitë naftënxjerrëse s’paguanin tatimfitimi

04/04/2019 15:02

Ministria e Financave ka hartuar një projektligj, i cili mbyll një nga skemat më të mëdha të shmangies së taksave në Shqipëri, atë të prodhimit të naftës.

Edhe pse në 20 vitet e fundit, kompanitë koncesionare të udhëhequra nga “Bankers Petroleum” kanë eksportuar mbi 3.5 miliardë dollarë naftë të nxjerrë nga nëntoka e Shqipërisë, deri më tani nuk kanë paguar asnjë lekë tatimfitimi për shkak se deklarohen me humbje.

Drafti i firmosur nga ministrja e Financave, Anila Denaj, e ndryshon rrënjësisht skemën e taksimit përmes dy masave të reja. E para është rritja e tatimfitimit për nënkontraktorët. Tatimfitimi mbi kompanitë koncesionare të naftës është 50 për qind. Por, nënkontraktorët që punojnë për këto kompani paguajnë vetëm 15 për qind, njësoj sa të gjithë bizneset e tjera.

Kjo diferencë ka qenë një nga format kryesore, përmes së cilës koncesionarët kanë shmangur qindra milionë dollarë taksa që duhej të shkonin në buxhet. Skema është e thjeshtë. Kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës, pjesën dërrmuese të investimeve apo operacioneve të përditshme e kryejnë përmes nënkontraktorëve, duke i paguar qindra milionë dollarë.

Rrjedhimisht, në vend që të taksohen me 50 për qind si fitime të koncesionarëve, këto të ardhura taksohen vetëm me 15 për qind, pasi shkojnë si fitime për nënkontraktorët. Për të mbyllur këtë shteg shmangieje, drafti i ri e bën tatimfitimin 50 për qind edhe për nënkontraktorët.

Masa e dytë është ajo që i detyron kompanitë e prodhimit të naftës të paguajnë tatimfitim menjehërë sapo realizojnë të ardhura. Aktualisht këto kompani, edhe kur dalin me fitim nuk paguajnë tatimfitimi, derisa të kompesojnë plotësisht të gjitha investimet e kryera në vite.

Me draftin e ri, pavarësisht shumës së investuar, kompanitë do të taksohen që në vitin e parë kur realizojnë të ardhura nga shitja e naftës, pasi 15 për qind e këtyre të ardhurave do të konsiderohen automatikisht fitim. Pra, nëse një kompani arkëton 100 milionë dollarë nga shitja e naftës së prodhuar në Shqipëri, atëherë asaj do t’i njihen si kosto e atij viti vetëm 85 milionë dollarë shpenzime.

Rrjedhimisht, 15 milionë dollarë do të trajtohen si fitim dhe do të taksohen me 50 për qind. Kjo masë do të zbatohet vetëm për kontratat e reja koncesionare që lidhen këtej e tutje, ndërkohë që burime nga Ministria e Financave thanë se, edhe kontratat ekzistuese, si ajo e Patos-Marinzës, apo të tjera do të rinegociohen.

Drafti përbën një ndryshim rrënjësor në regjimin fiskal të hidrokarbureve, një fushë ku buxheti vlerësohet se ka humbur qindra milionë euro taksa, edhe pse kompanitë kanë shfrytëzuar pasuritë natyrore të vendit.

Top Channel