Tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, partitë politike vijojnë të jenë shumë larg kompromisit. PS ndezi “motorët” e fushatës duke përzgjedhur emrat për zgjedhjet vendore.

PD, ndërkohë, vijon aksionin politik kontradiktor, edhe me protesta, por edhe duke u përgatitur për zgjedhje.

A do të jenë gati partitë për këto zgjedhje? A do të jetë PD pjesë e tyre?

Këto dilema janë diskutuar në studion e “Top Show”-t në ekranin e Top Channel, me të ftuar gazetarin Alfred Peza, Fahri Balliun e “Gazeta 55”, Shpëtim Nazarkon e “Konica.al”, politologun Ilir Kalemaj, si dhe autorin dhe moderatorin e “TOP TALK”, Denis Dyrnjaja.

Botuesi i “Gazetës 55”, Fahri Balliu tha se zgjedhjet e ardhshme nuk mund të zhvillohen me Ramën kryeministër. Pikërisht duke e kushtëzuar me largimin e kreut të ekzekutivit, Balliu sheh një rreze drite në fund të tunelit, që do ta bënte PD-në të hynte në zgjedhje.

“Opozita nuk mund të marrë oferta me kushte, nga një Kongres që nuk ishte Kongres por festival”, tha Balliu.

Kundër kësaj ideje ishte edhe Shpëtim Nazarko, analist dhe drejtues i “Konica.al”, i cili tha se, “pavarësisht manovrave, opozita do të hyjë në zgjedhjet e 30 Qershorit”.

“Këtu po luhet me individë. Midis Berishës, Metës dhe Ramës, ky i fundit ka më shumë besim në elektorat”, tha Nazarko.

Sipas Pezës, konfirmimi i Xhelal Mziut si kandidat për Bashkinë e Kamzës dhe thirrja e Bashës ndaj deputetëve për t’u përgatitur “për zgjedhjet e përgjithshme”, nxjerr zbuluar PD-në që po përgatitet për t’u futur në zgjedhje.

Top Channel