Pas vlerësimit të masës së sigurisë detyrim paraqitje, për presidentin e Kamzës, Naim Qarrin, në një rrëfim për Top Channel ai ka bërë mea culpa për ngjarjen e rëndë të ndeshjes Kamza-Laçi fundjavën e shkuar.

“Ndjehem keq për këtë ngjarje. Nuk jam për dhunë, u kërkoj falje të gjithëve. Nuk jam njeri i dhunës”, u shpreh Naim Qarri, President i Kamzës.
Ndjesa e parë e Qarrit ka qenë pikërisht ndaj arbitrit të ndeshjes Eldorjan Hamiti.

“Telefonatën e parë që kam bërë, e kam bërë për Hamitin. I kam kërkuar ndjesë. I kërkoj të gjithë mediave që të mos e përdorin si film atë pjesë. Ta heqin atë pjesë”, tha Qarri.

Ndërkohë që vendimi i marrë për skuadrën e Kamzës nga FSHF për Qarrin është ekstrem.

“Shpresojmë të merret një vendim më i lehtë. Të mendojnë për ata futbollistë, kanë familje, janë prindër, kanë fëmijë dhe i bëj një lutje federatës që ta rishikojë edhe njëherë këtë vendim”, tha ai.

Më i ashpër dhe deri në mosnjohjen e federatës ka shkuar aksioneri tjetër i Kamzës, kryetari i bashkisë Xhelal Mziu.

“Unë dua që Federata t’i japë zgjidhje, në të kundërt nuk do të merremi më me të. Është më normale të merremi me ekipe amatore”, tha Xhelal Mziu. kryetari i bashkisë Kamëz.

Top Channel