Ish-studentët e fillimeve të ndryshimeve politike në Shqipëri 28 vite më parë kanë kujtuar në një forum me studentë, studiues, ekspertë të komunikimit, ngjarjet që ndryshuan realitetin shqiptar duke shembur diktaturën.

Protestat që fillimisht rrëzuan në Tiranë shtatoren e diktatorit u pasuan me protestat në Institutin e Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës, ku studentët larguan nga holli i godinës bustin e Enver Hoxhës si dhe iu drejtuan pushtetit me kërkesa për ndryshime politike.

Roland Bejko, student në atë kohë, tregon se 10 ditët e protestave të shkurtit të vitit 1991 kanë qenë ditët më intensive të jetës së tij.

Një tjetër poet dhe botues i njohur, Gentian Çoçoli tregon se i rikthehet shpesh kujtimeve që shënuan jetën e tij kur ishte vetëm 18 vjeç.

“Nevoja për të mbrojtur institucionin e protestës është një nevojë e përhershme në demokraci”, tha drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë, Ëalter Glos.

“Nëse do të krahasonim periudhat kur protestohej për të shembur diktaturën dhe protestën që studentët organizuan në fundin e 2018-s, unë mendoj se shpresa për të ndryshuar realitetet i bashkon të dyja”, theksoi Glos.

Lëvizja studentore e 28 viteve më parë në Gjirokastër u pasua nga kundërshtia e dhunshme e organizatës së “Vullnetarëve të Enverit”, që nën presion dhe kërcënime rikthyen në hollin e universitetit bustin e diktatorit, por lëvizja kishte nisur dhe protestat e studentëve garantuan se nuk kishte më kthim pas në diktaturë.

Top Channel