Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat në Komisionin e Ligjeve për të ratifikuar protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

E para thirrje për votë unanime erdhi nga opozita, përmes kreut të republikanëve, Fatmir Mediu.

Mazhoranca nënvizoi rolin e Tiranës në kompaktësimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Xhafaj tha: “Prandaj është e rëndësishme që edhe ne të jemi të unifikuar e ta votojmë unanimisht”.

Edhe demokratët ishin dakord dhe thanë se mbështesnin anëtarësimin e Shkupit në Aleancën e Atlantikut, por i vetmi përfaqësues i Selisë Blu në komision u largua pa marrë pjesë në votim.

Gent Strazimiri u shpreh: “Shqiptarët janë në këmbë dhe protestojnë që Shqipëria të mos jetë e detyruar ta nxjerrin nga NATO-ja nga dritarja”.

Komisioni miratoi me unanimitet protokollin që pritet të marrë aprovimin final të enjten në seancë plenare, duke e bërë Shqipërinë ndër të parat vende që hapin dritën e gjelbër.

Top Channel mësoi se në këtë seancë do të jetë prezent edhe kreu i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, që do t’i drejtohet sallës me një fjalë përshëndetëse.

Protokolli hyn në fuqi kur çdo vend anëtar i NATO-s ka njoftuar për vendimin e marrë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si iniciuese e protokollit.

Top Channel