Partizani regjistroi një tjetër barazim në ndeshjet përgatitore që po zhvillon në Antalia të Turqisë. “Të kuqtë” e luajtën sfidën e tyre të dytë me Antalyasporin, duke e mbyllur me rezultatin 1-1. Skuadra turke kaloi e para në avantazh, me Sinik, ndërsa Partizani barazoi me Jurgen Bardhin.

Sfida e fundit e Partizanit është ajo me Dinamon e Zagrebit, që do të luhet ditën e hënë.

“Kushtet janë jashtëzakonisht të mira dhe kjo është e rëndësishme për ne. Çdo gjë është në rregull. Grupi po punon shumë mirë, e di pse ka ardhur këtu, e di se çfarë qëllimi dhe objektivi kemi. Çdo ndeshje miqësore është një test për lojtarët e rinj, që nuk kanë pasur mundësi të aktivizohen. Ndeshja me Dinamon e Zagrebit është një sfidë ku do të shohim vlerat tona. Gjithsesi nuk janë rezultatet që përcaktojnë vlerat tona, ne do të kërkojmë të marrim më të mirën”, tha Skënder Gega, trajner i Partizanit.

Edhe Kukësi zhvilloi ndeshjen e dytë miqësore, atë ndaj Rostovit. Këtë radhë, skuadra verilindore barazoi me skuadrën ruse me rezultatin 1-1. Të dy golat e kësaj sfide u shënuan në pjesën e parë të sfidës. Për skuadrën e Armando Cungut, ku u aktivizuan si titullarë Rroca e Shkurtaj, autori i golit ishte Arbër Çyrbja.

“Kryesore për ne është që të përgatitemi dhe të jemi gati për kampionatin. Skuadra ka treguar rritje dhe, si në ndeshjen e parë, edhe sot ka bindur. Unë si trajner kam nevojë të shoh 2-3 sisteme për të parë sesi sillet ekipi, e më pas cili prej tyre mund të na shërbejë gjatë kampionatit”, tha Armando Cungu, trajner i Kukësit.

Top Channel