Tirana u mposht 2-1 në Laç, duke u ulur me këmbë në tokë pas asaj fitoreje të thellë ndaj Kastriotit me shifrat 4-0.
Këtë fitore kurbinasit arritën ta merrnin vetëm falë një pjesë të parë shumë të mirë në të cilën Laçi arriti të shënonte dy herë, fillimisht me Shtubinën, i cili në minutën e 12 shënoi me kokë pas asistit perfekt të Xhixhës dhe më pas me Fangajn, i cili dyfishoi shifrat pas një aksioni shumë të bukur personal në minutën e 25.
Bardheblutë u zgjuan në pjesën e dytë, teksa hyrja në fushë e Ngoo rriti forcën sulmuese të skuadrës së Memës. Në minutën e 71, Grecës iu anulua një gol për një pozicion të dyshimtë jashtë loje, ndërsa 2 minuta më pas bardheblutë rihapën sfidën me golin e Hasanit, i cili përfitoi nga një top i mbetur në zonë pas goditjes së Grecës.
Anglezi Ngoo humbi një shans të artë për të barazuar shifrat pak minuta më vonë dhe vetëm kaq për Tiranën në këtë ndeshje që hyri me vonesë në lojë dhe në fund mori humbjen 9 sezonale në 17 javë.
Me këtë sukses Laçi u ngjit në kuotën 29 pikëve, po aq sa edhe Teuta, ndërkohë që Tirana mbetet në kuotën e 14 pikëve, afër zonës së rënies nga kategoria.
Top Channel