Përfshihen nga flakët një kioskë dhe dy automjete në aksin Librazhd–Përrenjas, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshëm “Top Talk” është ndalur këtë të premte te Reforma në Drejtësi. Së fundi, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike kanë përpiluar një raport, i cili vëren se vettingu për prokurorët dhe gjyqtarët ka probleme të dukshme me standardet e skualifikimit.
Ligji parashikon tri kritere për të qenë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë; pasurinë e justifikuar, integritetin personal dhe aftësitë profesionale. Por, këto 3 kritere me sa duket nuk po zbatohen njëlloj për të gjithë subjektet e rivlerësimit.
Pikërisht për të folur mbi këtë raport dhe konkluzionet e tij, e ftuar në studion e emisionit të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj.
Raporti i hartuar prej KSHH-së duket se hedh dritë mbi atë çfarë po ndodh me vettingun për njerëzit e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë. Lind pyetja, a po cënohet vërtetësia e procesit të vettingut nga ajo çfarë është parë deri tani?
“Si një proces që ka 7-8 muaj që ka filluar, sepse vendimmarrja e parë e organeve të vettingut daton që nga muaji shkurt merr një notë pozitive. Sa i përket vërtetësisë nuk mund të themi nëse cënohet apo jo, sepse është një proces që kalon disa instanca. Një pjesë e vendimeve janë kundërshtuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Megjithatë, në tërësi nota pozitive që ne i japim këtij procesi nuk e ka cënuar vërtetësinë e tij, pasi kemi parë gjyqtarë e prokurorë me pasuri tepër të pajustifikuara dhe tepër të pakonceptueshme për standardin e jetesës me të cilin përballen shumë shtresa në nevojë, në vendin tonë”, tha zonja Skëndaj.
_
Cili është vlerësimi që Komisioni Shqiptar i Helsinkit ka për rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i quajtur ndryshe si “Big Brother”-i që vëzhgon të gjithë procesin dhe jep vlerësimin, ose kthen të dyshuarit që kanë kaluar pa justifikuar një nga kriteret?
“Në disa raste vëzhguesit e Komitetit të Helsinkit kanë ngritur çështjen se, në disa raste sporadike, vëzhguesit e ONM-së kanë bërë pyetje që mund të kenë ndikuar në paragjykimin e procesit dhe do të duhej të ishin më neutralë. Sipas vëzhguesve tanë, pyetjet kanë qenë sugjestionuese apo edhe paragjykuese, e jo objektive. Po, ata kanë informacione mbi subjektet e rivlerësimit, por kanë edhe një opinion që e shfaqin në proces. Ne mendojmë se, për hir të transparencës karshi publikut do të duhej që opinionet e tyre, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme, të publikohen dhe të jenë të shikueshme e të qasshme nga të gjithë, përfshi ne si vëzhgues dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në këtë mënyrë do të bënim një vlerësim më të mirë të rolit të ONM-së në këtë proces”, tha Skëndaj.
_
Në vlerësimin e zonjës Erida Skëndaj dhe institucionit që përfaqëson, kur mund të përmbyllet ky proces vettingu, me ecurinë që kanë parë deri më tani? Thuhet që në dhjetor do të ngrihen KLP-ja dhe KLGJ-ja, për anëtarët e të cilëve pritet të hidhet shorti.
“Edhe për KLGJ dhe KLP ka një problematikë, por le të qëndrojmë te vettingu. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka mandatin për 5 vite dhe nëse nuk i shqyrton të gjitha dosjet e mbetura, ato do t’i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për prokurorët, që do të vazhdojnë me procesin e rivlerësimit. Në vitin e parë të KPK-së janë rivlerësuar 10 për qind e subjekteve, nga 700 të tillë. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, për 5 vite i bie që të rivlerësohen 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj do të duhet që ritmet të përshpejtohen, me qëllim që KPK-ja të rivlerësojë shumicën dërrmuese të tyre. Nuk do të ishte në interes të procesit që të rivlerësohej një numër relativisht i ulët subjektesh, e më pas e gjithë pjesa tjetër të kalojë te KLGJ-ja e KLP-ja”, tha Skëndaj.
Kësisoj lind pyetja, a mund të quhet një proces normal, apo është i zvarritur në rrugëtimin e vet?
“Ne kemi kërkuar ritme më të shpejtuara për këtë proces, nuk mund të themi se është i zvarritur, sepse edhe hetimi administrativ i pasurive kërkon një punë shumë impenjative. Kjo sepse vettingu nuk vendos një afat, për t’u ndalur për shembull në pasurinë që është vënë në 10 vitet e fundit të ushtrimit të detyrës si gjyqtar apo prokuror. Kjo ka krijuar pengesa dhe vështirësi për institucionet e vettingut në marrjen e informacionit dhe të dokumentacionit të duhur për të hedhur dritë mbi ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre pasurive”, u shpreh më tej zonja Skëndaj.
Top Channel