Kryeministri Rama ishte në Vjenë, ku mori pjesë në takimin e organizuar nga Kancelari austriak, Sebastian Kurz, me pjesëmarrjen e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe eurokomisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Takimi u mbyll me një konferencë për shtyp, ku kancelari Kurz theksoi se Austria do të vijojë mbështetjen për integrimin e Ballkanit.

“Ne kemi një lidhje të fortë historike, ekonomike, politike, kulturore dhe njerëzore me këtë rajon, ndaj mendojmë se BE-ja do të jetë e plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare. Për këtë arsye mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së, e jemi fokusuar veçanërisht në këtë rajon gjatë Presidencës sonë të BE-së”, tha Sebastian Kurz.

Kryeministri Rama vlerësoi përkrahjen e Vjenës dhe nënvizoi përkushtimin e Tiranës ndaj bashkëpunimit rajonal.

“Jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë. Por jam i sigurtë që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’u japim qytetarëve tanë atë që meritojnë. Për ta përfunduar, jam – personalisht dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, – mirënjohës ndaj kancelarit Kurz për qasjen e tij të qartë në lidhje me perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit”, tha kryeministri Rama.

Bashkëpunimit rajonal iu referua edhe eurokomisioneri Hahn, duke vënë theksin më shumë në aspektin ekonomik.

“Një prej tematikave të sotme ishte puna për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale, si parakusht për integrimin e mëtejshëm në tregun e përbashkët europian. Për këtë është e rëndësishme të rrëzohen barrierat, qofshin formale apo informale. Bashkëpunimi në sektorë si energjia është një tjetër element. E rëndësishme është që të rritet volumi tregtar midis vendeve, është e rëndësishme që vendet të tregohen më të shpejta për të gjetur akordet midis tyre për një numër çështjesh, duke rritur më tej bashkëpunimin ndërrajonal”, tha Johannes Hahn.

Top Channel