Rumania shqetëson Brukselin, kërkon dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm

25/10/2018 02:26

Shqetësimet në Bruksel rreth vlerave demokratike në disa shtete lindore të BE-së u rritën teksa ministri rumun i drejtësisë kërkoi shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, duke e akuzuar atë për tejkalim të kompetencave.

Hapat e tjerë të fundit nga ana e Social Demokratëve në pushtet të Rumanisë për të ndryshuar sistemin e drejtësisë dhe për të zëvendësuar zyrtarët e lartë gjyqësorë, kanë shkaktuar protesta masive në rrugë dhe nxitur shqetësim rreth sundimit të ligjit në Komisionin Evropian dhe midis diplomatëve.

Ministri i Drejtësisë Tudorel Toader lexoi një përmbledhje të një raporti prej 20 pikash që kishte përpiluar, duke bërë thirrje për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Augustin Lazar me arsyetimin se ai ishte përgjegjës për “veprime dhe fakte të patolerueshme për sundimin e ligjit”.

Lazari është figura e fundit kryesore në një makinë kundër korrupsionit që ka fituar falënderimet nga Brukseli për ekspozimin e korrupsionit të nivelit të lartë në Rumani, duke përfshirë vjedhjen e fondeve të BE.

Ai e dënoi kërkesën e Toader për t’u larguar, duke thënë: “Kjo është mënyra si ekzekutivi, nëpërmjet ministrit të drejtësisë, tregon respektimin e pavarësisë së prokurorëve.

Lazar mbikëqyr mijëra prokurorë, duke përfshirë njësinë kundër krimit të organizuar DIICOT dhe ADN-në për anti-korrupsion. Mandati i liderit DIICOT ka skaduar dhe kreu i ADN-së, Laura Codruta Kovesi, u shkarkua në korrik pas një rishikimi të performancës, të ngjashme me Lazarin.

Sipas ligjit rumun, presidenti duhet të nënshkruajë peticione për të shkarkuar kryeprokurorët, të cilët kërkohen nga ministri i drejtësisë dhe gjithashtu duhet miratimi nga një mbikëqyrës gjyqësor.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vendosi më parë këtë vit se presidenti nuk ka të drejtë të kundërshtojë një kërkesë të tillë nga ministri i drejtësisë. Si rezultat, Presidenti Klaus Iohannis duhej të shkarkonte Laura Koves, e ADN-së në korrik.

Iohannis do të jetë i kufizuar në vlerësimin e ligjshmërisë së procedurës. Analistët thonë se vendimi i gjykatës kushtetuese rriti pushtetin e qeverisë mbi prokurorët. Transparency International rendit Rumaninë si një nga shtetet më të korruptuara të BE-së dhe Brukseli e ka mbajtur sistemin e saj të drejtësisë nën një monitorim të veçantë që kur u bashkua me bllokun në vitin 2007.

Prokurorët kundër korrupsionit kanë dënuar mijëra zyrtarë publikë, duke përfshirë ligjbërës dhe ministra. Midis tyre është kreu i Social Demokratëve Liviu Dragnea, i cili ka një dënim dyvjeçar të pezulluar në një rast të manipulimit të votave. Ai u dënua edhe me tre vjet e gjysmë burgim për shpërdorim të detyrës, por ai mohon të gjitha akuzat dhe ka apeluar.

Komisioni Evropian, i cili tashmë kërkon sanksione kundër Polonisë dhe Hungarisë, pasi i akuzon për përmbysje të vlerave demokratike, frikësohet se Rumania po ndjek shembullin e tyre. Ajo do të lëshojë raportin e fundit të monitorimit të drejtësisë mbi Rumaninë në nëntor.

Top Channel