Nëse bota do të kufizojë ndryshimet klimatike, mungesën e ujit të pijshëm dhe ndotjen, atëherë duhet të përqafohen dietat fleksitariane, ose ndryshe dietat vegjetariane që nuk përjashtojnë konsumin e mishit me raste.

Sipas shkencëtarëve, kjo do të thotë të konsumohen kryesisht ushqime me bazë bimore dhe ky është një nga 3 hapat kyçë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë ne, në vitin 2050.

Shpërdorimi i ushqimeve duhet të përgjysmohet dhe praktikat e fermerëve duhet po ashtu të përmirësohen, thotë studimi. Pa veprim, pasojat në sistemin tonë ushqimor mund të rëndohen deri në 90 për qind.

I ardhur menjëherë pas raportit të Panelit ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC), ky studim i ri ndalet te mënyrat sesi prodhimi i ushqimeve dhe konsumi ndikon te planeti.

Autorët thonë se, sistemi ushqimor ka një numër pasojash domethënëse ambientale, përfshirë ndryshimet klimatike, shterimin e ujit të pijshëm dhe ndotjen përmes përdorimit të tepruar të nitrogjenit dhe fosforit.

Studimi thotë se, falë rritjes së popullatës dhe të të ardhurave, mes viteve 2010-2050, këto pasoja mund të intensifikohen nga 50 deri në 90 për qind. Kjo do ta shtynte botën përtej kufijve të saj planetarë, që sipas autorëve përfaqësojnë një hapësirë të sigurtë për njerëzimin, në një sistem tokësor të qëndrueshëm.

Sidoqoftë, studimi zbulon se asnjë zgjidhje e vetme nuk do të evitonte rreziqe të tilla, ndaj një përpjekje e kombinuar është e nevojshme.

Top Channel