Atë e njohim si shefin ekzekutiv miliarder të kompanisë “Tesla”, por së fundi ai ka rrezikuar të provokojë shqetësime të mëtejshme nga investitorët, pasi ka konsumuar marijuanë gjatë një shfaqjeje të drejtpërdrejtë “online” në krah të komedianit amerikan, Joe Rogan.

Elon Musk, 47 vjeç, i cili ka akuzuar vazhdimisht një palombar britanik si pedofil, kaloi plot dy orë e gjysmë në transmetimin “online” orët e vona të së enjtes, duke diskutuar për gjithçka, nga inteligjenca artificiale e deri te ndikimi i saj te qeniet njerëzore, te flakëhedhëset dhe rrjetet sociale.

E duke marrë një cigare – e cila sipas Roganit ishte një përzierje mes duhanit dhe marijuanës, gjë e ligjshme në Kaliforni, – në duar për ta thithur, Musk rrëfeu se “thuajse nuk kishte tymosur kurrë”.

“Nuk jam një përdorues i rregullt i marijuanës, – tha sipërmarrësi miliarder. – Madje nuk arrita të vëreja ndonjë efekt… Nuk arrij ta kuptoj pse është kaq e mirë për t’u prodhuar”.

Musk tronditi investitorët muajin e kaluar me “cicërimat” në rrjetin social Twitter, ku thoshte se po mendonte ta privatizonte kompaninë për 420 dollarë aksioni. Por ai u tërhoq nga ky plan, duke thënë se “Tesla” do të ishte më e sukseshme si kompani publike.

I pyetur mbi stuhinë e konsumit të marijuanës, teksa është nën hetim nga Komisioni i Sigurisë dhe Bursave për “cicërimat” e privatizimit të Teslës (që shumë opinionistë dyshojnë të jenë bërë nën efektin e marijuanës), Musk iu kundërpërgjigj “e-mail”-it të “The Guardian” shumë rëndë:

“Guardian është gazeta më e padurueshme në planetin Tokë”.

Në një “e-mail” tjetër që i drejtonte pyetjen nëse “Tesla” i teston punonjësit për konsum droge, Musk shkroi se “politikat tona lejojnë sasi të ulëta të THC-së gjatë orarit të punës, me kushtin që të jenë nën limitin e sigurisë shëndetësore (ngjashëm me nivelin minimal të alkoolit të lejuar)”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA