Greqia ka hyrë në një fazë të re “normale”, tani që përfundoi marrëveshja zyrtare e huadhënies me trojkën (FMN, Banka Qendrore Europiane dhe Komisionin Europian). Por e vërteta është që pas tetë vitesh nën masa shtrënguese, askush s’e ka luksin t’i shohë gjërat më bukur se ç’janë.

Kriza i ka kushtuar Greqisë 25% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), gjë që s’ka ndodhur me asnjë komb tjetër europian në kohë paqeje. Papunësia arriti pothuajse 20%, edhe pasi me qindra-mijëra emigruan, ndërsa borxhi kombëtar mbetet në nivelin 180%.

Por edhe me marrëveshjen e re, Greqia nuk është çliruar plotësisht nga huadhënësit, pasi duhet t’i nënshtrohet kontrolleve të shumta, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e reformave e të mbahet një ekonomi e shëndetshme.

Gjatë krizës, Greqia është quajtur shpesh si “e sëmura kronike” e eurozonës. Metaforat mjekësore kanë vazhduar edhe pas urimeve që i dhanë këtë javë partnerët europianë. Tani thuhet se vendi është “zyrtarisht i shëruar, por ende nën vëzhgim”. Siç ndodh shpesh me ata që shtrohen në spital, morali mbetet në nivelet më të ulëta, edhe pas lajmit të mirë në javën e fundit.

Qeveria e Syrizas shprehej kundër masave shtrënguese gjatë negociatave me BE-në. Për ata që e mbështetën, nënshkrimi i memorandumit të tretë, më 12 korrik të vitit 2015, si mënyra e vetme për të garantuar vazhdimin e mbështetjes financiare, ishte një tronditje politike dhe morale që shkoi përtej krizës financiare.

Dyqane të mbyllura në Selanik.

Në atë pikë, Greqia dhe e gjithë bota kuptuan se partnerët Europianë nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga masat shtrënguese financiare, pavarësisht kostos së lartë njerëzore. U pa gjithashtu se vendet e BE-së nuk do të ndalonin së kërkuari reforma strukturore neo-liberale, si privatizimi i pasurive kombëtare, gjëra që nuk ishin imponuar kurrë më parë ndaj ndonjë anëtari të BE-së. Ky ishte çasti kur “pacienti” kuptoi se “mjeku” e kishte harruar betimin: betimi në këtë rast ishte që të vepronin në interes të popujve të BE-së, jo në interes të një sistemi ekonomik me probleme.

Taksat agresive dhe ulja e  rrogave dhe pensioneve deri në 40%, gjatë kohës së krizës, sollën mjerim për shumë pensionistë si dhe e shkatërruan shtresën e mesme. Sot, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë greke, pavarësisht sakrificave të shumta nga populli, e ardhmja e vendit vazhdon të varet nga rritja e pandalshme ekonomike dhe nga realizimi i suficiteve buxhetore, vit pas viti, pa ndërprerje. Edhe pse janë dhënë shumë masa lehtësuese për borxhin, të paktën për 10 vitet e ardhshme, Greqia do të vazhdojë të paguajë këste deri në vitin 2060.

Pra, për pacienten Greqi është ende herët që të nisë festimet.

Por çfarë kemi mësuar nga kjo?  Çfarë mund të presë Greqia apo BE-ja nga e ardhmja?

Fundi i masave shtrënguese mund t’i japë qeverisë së Syrizës më shumë vend për manovrim. Duket se në të ardhmen e afërt, suficitet buxhetore do të lejojnë kthim fondesh për grupet më të brishta të popullsisë. Së dyti, qeveria mund të ulë taksat e të rrisë shpenzimet sociale. Së fundmi, mund të ketë negociata të mëtejshme me audituesit në mënyrë që të mos realizohet ulja tjetër e pensioneve, e planifikuar për vitin 2019.

Por ajo që nuk dihet dhe aq mirë, është nëse BE-ja ka mësuar ndonjë gjë në këto tetë vitet e fundit. Komisioneri Europian për çështje ekonomike, Pierre Moscovici, pranoi se vendimet që ishin marrë pas dyerve të mbyllura për krizën greke kishin qenë një skandal ndaj proceseve demokratike.

Mungesa e transparencës dhe imponimi i masave shtrënguese, të vendosura si zgjidhja e vetme për vendet e Europës Jugore që u goditën nga kriza financiare e vitit 2008, në një kohë kur vende si Gjermania vazhdonin të zhvilloheshin, ka ngritur hije dyshimi mbi vetë projektin europian. Që nga ajo kohë, euroskepticizmi ka qenë në rritje dhe ka ndikuar në ngjarje si Brexit, apo te rritja e partive nacionaliste e ksenofobike të së djathtës ekstreme në mbarë kontinentin.

Për ata nga ne që kanë ende besim për një Europë sociale, pacienti i vërtetë në këtë mes është Bashkimi Europian dhe eurozona. Dhe ata kanë nevojë urgjente për trajtim.

Marina Prentulis, The Guardian

Top Channel