Presidenti i Iranit, Hasan Rouhani, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për rikthimin e sanksioneve ekonomike mbi vendin. Ai i cilësoi masat, që hynë në efekt gjatë natës, si luftë psikologjike që ka si qëllim të krijojë ndasi mes iranianëve.
Sanksionet kanë në shënjestër sektorë të ndryshëm me masa të tjera ndëshkuese të planifikuara edhe mbi industrinë e naftës të vendit. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që riktheu sanksionet menjëherë pas mesnate.
Ndërsa një seri e dytë sanksionesh do të hyjnë në fuqi më 5 nëntor. Bashkimi Evropian ka kundërshtuar masat dhe ka premtuar se do të mbrojë kompanitë që bëjnë biznes të ligjshëm.
Vendosja e sanksioneve pason tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e nënshkruar në 2015. Marrëveshja e negociuar gjatë presidencës së Barack Obamës, parashikonte që Irani të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Trump tha se marrëveshja ishte e njëanshme dhe ai beson se rikthimi i presionit ekonomik do të detyrojë Iranin të bjerë dakord për një marrëveshje të re dhe t’i japë fund aktiviteteve të tij keqdashëse.
Vetëm SHBA është tërhequr nga marrëveshja me firmëtarët e tjerë që mbeten të angazhuar ndaj saj. Por, monedha iraniane ka humbur thuajse gjysmën e vlerës së saj që nga tërheqja amerikane, duke e vënë në vështirësi ekonominë e vendit.
Top Channel