Kukësi u detyrua të braktisë vitrinën e futbollit europian pas humbjes 3-0 ndaj Qarabagut në një ndeshje që sanksionoi eliminimin nga Champions League, por jo nga kupat kontinentale.

Formacioni shqiptar i thirrur nën armë për të mbrojtur barazimin pa gola një javë më parë në Shkodër, nuk arriti të rezistojë ndaj kampionëve të Azerbajxhanit, që fituan pastër falë edhe penalltive.

Pjesa e parë mes Qarabagut dhe Kukësit në ndeshjen e kthimit në Champions League u mbyll në favor të vendasve 1-0. Fillimisht Qarabagu goditi shtyllën ndërsa më pas portieri Frashëri shkaktoi 11 metërshin që u transformua nga Kuintana në minutën e 24.

Në fraksionin e dytë rolin e portierit te Kukësi e bëri aksidentalisht mbrojtësi Alla, që preku një top me dorë në zonë duke shkaktuar një tjetër penallti ndërsa la ekipin në inferioritet numerik.

Portieri Frashëri priti penalltinë e Emegara duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin, por vetëm 3 minuta më vonë në stadiumin e Baku u krijua një atmosferë sureale me penalltinë e tretë në favor të vendasve. Këtë herë autor i faullit inkriminues ishte Maliqi, ndërsa nga pika e bardhë Kuintana shënoi golin e sigurisë për Karabagun.

Në superioritet numerik lojtarësh dhe me avantazhin komod, azerët shpërdoruan të tjera shanse shënimi ndërsa skuadra shqiptare iu dorëzua verdiktit të fushës duke pritur në agoni fundin, kur erdhi dhe goli i tretë me Delarzh. Tani kukësi spostohet në play offin e Europa Ligës, ku do të ndeshet me fituesin e ciftit Torpedo Kutaisi-Vikingur.

Top Channel