Gjykata Administrative ka ruajtur të paprekur kanionet e Osumit. Me një vendim të datës 30 korrik, gjykata ka pranuar vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila në shkurt të këtij viti vendosi anulimin e kontratës për ndërtimin e dy HEC-eve në kanionet e Osumit.
Pas këtij vendimi, firma “HP Bigas dhe Veleshnje Energy”, që do të ndërtonte HEC-et, iu drejtua Gjykatës Administrative me kërkesën për të shpallur të pavlefshëm vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe një sërë institucionesh të tjera që ngritën zërin kundër prishjes së kësaj bukurie natyrore.
Por, Gjykata Administrative nuk pranoi asnjë pikë të kërkesës së kompanisë private, duke legjitimuar vendimin për prishjen e njëanshme të kontratës me qëllim ruajtjen e vlerave natyrore që kanë këto kanione.
Firma “HP Bigas dhe Veleshnja Energy” kishte fituar të drejtën për ngritjen e dy HEC-eve në kanionet e Osumit, duke firmosur edhe një kontratë në gusht të vitit 2013, në ditët e fundit të ish-qeverisë Berisha. Por, pas reagimit të grupeve që zhvillojnë rafting në kanionet e Osumit dhe më pas edhe të banorëve të zonës dhe shoqërisë civile, reaguan edhe institucionet shtetërore që vendosën anulimin e kontratave dhe ruajtjen e kësaj bukurie natyrore, që është edhe një nga atraksionet turistike më të frekuentuara në Shqipëri.
Leja për ndërtimin e hidrocentraleve në zonën më të bukur natyrore të kanioneve ishte dhënë në vitin 2013 dhe ishte rikonfirmuar më pas nga qeveria Rama. Por, pas reagimit të shoqërisë civile, që u mbështet me forcë edhe nga media, qeveria u tërhoq nga projekti që do të shkatërronte kanionet.
Top Channel