“100 fshatrat”, Rama kritika bashkive: Jo vetëm rrugë, shumë pak aplikime për agroturizmin

20/07/2018 10:32

Kryeministri Edi Rama në një takim për “100 fshatrat” kritikoi bashkitë për më shumë vëmendje ndaj fshatit, jo vetëm në infrastrukturë. Duke iu referuar projekteve për agroturizmin, ai tha se aplikimet nuk ishin as sa numri i bashkive të vendit, dhe për këtë qeveria u detyrua të rihapë thirrjen.

“Rihapëm thirrjen për agroturizmin si rezultat i mungesës së projekteve. Kemi vënë në dispozicion një shumë të konsiderueshme nga buxheti i shtetit që do të jetë mbështetje e drejt për drejtë për ata që investojnë në agroturizëm. Këtu nuk bëhet fjalë për kredi, po për grant, para që jepen për projektin pa asnjë interes nga ana e qeverisë. Numri i projekteve që kemi marrë ka qenë 10 herë më i vogël se numri i bashkive që kemi. Kjo është e pakuptueshme dhe e pajustifikuar, tregon sa larg akoma janë bashkitë e reja nga vëmendja që duhet të kemi ndaj pjesës së fshatit. Për të ardhur keq që gjithë diskutimi i krerëve të bashkive, kur vjen puna të fshati është rrugë, rrugë, rrugë. Pa diskutim që rrugët janë të domosdoshme, por edhe mundësia për të investuar në rrugët rurale është e kufizuar. Ndërkohë që ka shumë element të tjerë që duhet të shkojnë paralelisht dhe ka shumë raste konkrete që pavarësisht se rrugët mund të mos jenë në nivelin e duhur investime në agroturizëm sjellin sukses”, tha Rama.

Ai foli dhe për problematikën e mbetjeve urbane në fshatra. “Mbetjet urbane në zonën e fshatit, një problem i madh që ka marrë zgjidhje në disa njolla të caktuara të hartës së Shqipërisë, po ka shumë ende njolla të zeza që duhen adresuar e pastruar nga harta”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA