Familjarët e 5-vjeçares që humbi jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik në fshatin Kurjan të Roskovecit, kërkojnë që drejtësia të japë dënimin e merituar për drejtuesin e mjetit.
5-vjeçarja Afisela Metohu u përplas nga makina te dera e shtëpisë. Ata thonë se nuk janë thirrur as si dëshmitarë për këtë ngjarje, ndërkohë që ekspertiza, tre ditë pas aksidentit e ka lënë të lirë drejtuesin e mjetit. Gjyshërit e vogëlushes akuzojnë për mitmarrje organet e drejtësisë së Fierit.
“Ishte me patentë amerikane dhe është arrestuar nga organet kompetente, ku mbas 3 ditësh lihet i lirë nga këto organe. Nga ekspertiza rrugore del i pafajshëm dhe shkruhet se shoferi ka qenë 15 deri në 20 kilometra. Unë jam edhe vetë shofer dhe kam udhëtuar edhe me 100 km në orë dhe me 20, por nuk bën vaki që të vrasësh një fëmijë me atë shpejtësi që ata thonë”, shprehet Nazmi Metohu, gjyshi i vajzës.
“Unë si baba i vajzës kërkoj drejtësi, që gjaku i fëmijës tim të mos shitet apo blihet me para. Kërkoj vetëm drejtësi”, thotë babai i vajzës.
Në rast se nuk do të gjejmë zgjidhje te drejtësia shqiptare, familjarët e vogëlushes do t’i drejtohen gjykatave ndërkombëtare.
Top Channel