Eksportet rriten 18%, në 6 muaj, Shqipëria shiti 158 mld lekë mallra

17/07/2018 20:23

Eksportet shqiptare vazhdojnë të rriten me ritme dyshifrore duke tejkaluar efektet negative të zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

Instituti i statistikave raportoi se për gjashtëmujorin e parë të vitit kompanitë shqiptare eksportuan 158 miliardë lekë mallra në tregjet e huaja me një rritje prej 18.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti të kaluar.

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se ecuria pozitive e eksporteve është udhëhequr nga grupi i produkteve minerare, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Eksportet e këtij grupi janë rritur me 8 miliardë lekë krahasuar me vjet, të ndihmuara kryesisht nga rritja e prodhimit të energjisë. Por rritje kanë shënuar edhe eksportet e industrisë së fasonit, materialet e ndërtimit si dhe eksportet e artikujve bujqësorë.

Kompanitë shqiptare që punojnë për eksport janë përballuar këtë vit me një kurs të pafavorshëm këmbimi, pasi shumica e tyre punojnë për tregjet e Bashkimit Europian duke shitur në monedhën euro. Për gjysmën e parë të vitit euro ka rënë me gati 7 për qind ndaj lekut duke ulur në të njëjtën masë vlerën në lekë të eksporteve.

Por ky efekt negativ i kursit të këmbimit, jo vetëm që është kompensuar plotësisht, por është tejkaluar për shkak se eksportuesit kanë rritur vëllimin e shitjeve në tregjet e Bashkimit Europian duke përfituar edhe nga situata e mirë që po kalon ekonomia europiane.

Top Channel