10.8 mln euro për çdo km, shpallet fituesi i rrugës së re Thumanë-Kashar

16/07/2018 15:15

Rruga Thumanë-Kashar, me gjatësi totale 20.8 kilometra, do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë 225.8 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituese kompaninë “Gener 2” në tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, për një periudhë prej 13 vitesh.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në tenderin për ndërtimin e rrugës kanë marrë pjesë 4 kompani, respektivisht “Gener 2”, “Gjikuria”, “Alpin SRL” dhe “Gruppo Adige Bitumi”.

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur fituese kompaninë “Gener 2”, me ofertë 225.8 milionë euro, ndërkohë që 3 kompanitë e tjera, të cilat kanë ofruar çmime më të larta, u skualifikuan.

Koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar ka nisur përmes një oferte të pakërkuar, pra ndërtimi i kësaj rruge nuk është kërkuar nga qeveria, por u propozua nga vet kompania “Gener 2”. Për këtë, ajo u shpërblye me 8.5 për qind të pikëve, duke hyrë e avantazhuar në tender.

Sipas projektit, rruga fillon në Thumanë, 150 metra brenda autostratës ekzistuese Milot-Fushë Krujë, dhe përfundon në Kashar, duke u lidhur me autostradën Tiranë-Durrës.

Pas Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar bëhet vepra e dytë e projektit “1 miliard euro”, për të cilën përmbyllet tenderi dhe shpallet zyrtarisht fituesi.

Rruga do të ndërtohet me paratë e vet kompanisë private, ndërsa qeveria do ta paguajë atë më keste për 13 vitet e ardhshme. Sipas vlerës, tashmë zyrtare në total, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës për 13 vite do të kushtojë 225.8 milionë euro, ose 10.8 milionë euro për çdo kilometër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA