Sfidë realitetit toksik, Kisha ngre kamp për fëmijët e Porto Romanos

11/07/2018 19:46

Vansi është 10 vjeç dhe jeton ngjitur me vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Porto Romanos. Shpesh pas shkolle dhe në kohën e lirë, ai dhe fëmijë të tjerë të zonës shkonin për të grumbulluar kanaçe.

Por këto ditë, së bashku me Mirin, Esmeraldën dhe shumë fëmijë të tjerë të Porto Romanos, një prej zonave më të ndotura të Durrësit, po shijojnë një pjesë të fëmijërisë përmes lojërave dhe aktiviteteve që organizon Kisha e vogël Katolike, e ngritur pak metra larg fushës së plehrave për t’i ardhur në ndihmë këtij komuniteti.

Edhe pse ajri është i ndotur e kutërbon, fëmijët dhe vullnetarët e kishës i gëzohen këndit të lojërave që është ngritur në oborrin e kishës, duke sfiduar realitetin toksik përreth.

At Bernard Caurana, prifti maltez që drejton Kishën Françeskane të Durrësit, thotë se, përveç lojërave, këtë verë ofrohen edhe kurse falas për 60 fëmijë të këtij komuniteti, ndërsa i kujton kryemistrit Edi Rama që të mos vonojë mbajtjen e premtimit për kthimin e fushës së mbetjeve urbane në një park të gjelbëruar.

“Është një mjedis mjaft i harruar, edhe pse para pak ditëve kemi marrë një premtim nga ana e qeverisë. Shpresoj që të mos jetë si ai tymi që po lartësohet atje tej, por të jetë diçka që do të konkretizohet sa më shpejt”, tha At Bernard Caurana.

Top Channel