Ulet tatim-fitimi për bizneset me xhiro nën 14 milionë lekë në vit

02/07/2018 15:34

Mes sherresh për projekligjin për ndërtimin e teatrit të ri dhe moshapjen e negociatave me Bashkimin Europian në Komisionin e Ekonomisë, kaloi në parim ulja nga 15% në 5% e tatim-fitimit për bizneset me xhiro nën 14 milionë lekë në vit.

Zbatimi i kësaj mase nis nga 1 janari 2019.

Aktualisht, tatim-fitimi paguhet me tre fasha. Për bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë kjo taksë është zero. Për bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë në vit, tatim-fitimi është 5% dhe mbi 8 milionë lekë xhiro në vit, tatim-fitimi është 15%.

Por, si përkthehet kjo në llogaritë e biznesit. Për një ndërmarrje e cila realizon xhiro vjetore 14 milionë lekë, tatim-fitimi ulet nga 315 mijë lekë që është sot në 105 mijë lekë.

Edhe për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, shkalla e tatimit mbi fitimin bëhet 5%, ndërsa për bizneset e agroturizmit shkalla prej 5% tatim-fitimi do të aplikohet për një periudhë 10-vjeçare.

Nga ana tjetër, tatim-fitimi do të aplikohet 15% mbi të ardhurat bruto për të gjitha lojrat e fatit në Shqipëri.

Top Channel