Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ndodhet në Shtetet e Bashkuara, i ftuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Michael “Mike” Pompeo, dhe Sekretari për Energjinë, Rick Perry, për të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Gazit, që mbahet në Uashington.

Ai u prit në një takim nga zëvendësndihmës.sekretarja për Energjinë në Departamentin amerikan të Shtetit, zonja Sandra Oudkirk. Në takim u diskutua për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë, ashtu sikurse për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe rajonit.

“Gjatë kësaj periudhe pata mundësinë që të takoj edhe zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, ku diskutuam në lidhje me rolin që ka luajtur Shqipëria në suksesin e korridorit të jugut, e u theksua në veçanti roli pozitiv që ka pasur Shqipëria në bërjen të mundur të këtij megaprojekti dhe mospasjen e asnjë problemi në territorin shqiptar”, deklaron Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri vazhdon takimet në kryeqytetin amerikan me përfaqësues të lartë të administratës “Trump” dhe kompani globale në fushën e energjetikës. Në Konferencën Botërore të Gazit marrin pjesë kompanitë më të mëdha, si “Chevron”, “ExxonMobil”, “Qatar Petroleum”, “BP”, “Total”, “ConocoPhillips”, “SHELL”, etj.

Top Channel