Pak orë para se Kim Jong-un dhe Donald Trump të shtrëngonin duart me njëri-tjetrin në një resort turistik luksoz në Singapor, mediat ndërkombëtare raportuan një lajm të pazakontë dhe të çuditshëm.

Nga “USA Today” e deri tek “The Independent” u raportua në versionet online se udhëheqësi i Koresë së Veriut kishte mbërritur në Singapor së bashku me tualetin e lëvizshëm, që është parë shpesh gjatë udhëtimeve dhe daljeve publike të tij në vendlindje. Arsyet e këtij veprimi që të gjithë i lidhin me shkaqet e sigurisë dhe shmangies së ndonjë përgjimit të mundshëm.

“U deshën vite të tëra, megjithatë arritëm t’i kapërcenim pengesat e ja ku jemi sot këtu. Bota do të njohë një ndryshim të madh”, deklaroi Kim Jong un pas firmosjes së deklaratës së përbashkët me Donald Trump.

“Është një nder i madh të gjendem sot këtu”, tha nga ana e tij Presidenti amerikan, duke ndarë edhe bindjen personale se me Kim Jong un po hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Megjithatë, dozat e skepticizmit janë të mëdha. Numri i atyre që dyshojnë në sinqeritetin e marrëveshjes së nënshkruar është po ashtu i madh dhe duhen pritur fazat e tjera të negociatave për të përmbushur misionin kryesor të takimit historik: çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut.

Si simbol i mosbesimit qëndron në këtë mes edhe tualeti personal i Kim Jong un. Dikatori koreano-verior duhet të ketë qenë në dijeni se po ulej në tryezën e bisedimeve më një President që minoi marrëdhëniet me aleatët tradicionalë vetëm pak ditë më parë në Kanada.

Donald Trump mbërrinte në këtë takim fill pas samitit të G7. Presidenti amerikan u vu në qendër të kritikave pas refuzimit për të firmosur një deklaratë të përbashkët në fund të takimit, madje e quajti Kryeministrin kanadez “pa shtyllë kurrizore dhe të pabesë” për qëndrimet e tij për tregtinë e lirë.

Nga ana e tij, vetë Donald Trump duhet ta dinte gjithashtu se përballë kishte trashëgimtarin biologjik dhe të pushtetit të Kim Jong il, njeriu që lozi për dy dekada me radhë me Shtetet e Bashkuara dhe Seulin, herë duke u ofruar dorën e paqes dhe të bashkëpunimit, herë duke u treguar arsenalin bërthamor.

Megjithatë, në fund të fundit takimi mbetet historik, për faktin e thjeshtë se është hera e parë që një President në detyrë i Shteteve të Bashkuara takohet me një udhëheqës të Penianit, megjithëse, siç Reuters analizon, krahasimi i shtrëngimit të duarve mes Trump dhe Kim Jong un me atë të Richard Nixon dhe Mao Ce Dun në vitin 1972 nuk ka vend.

Reuters thotë se ndryshe nga takimi i Nixon, takimi i Trump me diktatorin koreano-verior nuk prodhoi ndonjë gjë konkrete, por vetëm një deklaratë “mirëkuptuese”, që lë shteg për interpretime të ndryshme dhe që s’garanton që premtimet e hedhura në të do të mbahen.

Top Channel