“Kam pranuar të vij me vullnetin tim për të zbardhur të vërtetën për vrasjen e Azem Hajdarit dhe të ballafaqohem me ato që më akuzojnë”.
Kështu është shprehur Izet Haxhia në seancën e parë, ku ai kërkon që të rihapë çështjen ku është dënuar me 25 vite burgim si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së ish-deputetit demokrat Azem Hajdari.
Përveç provave shkresore dhe një sërë ligjesh të cilat i ka renditur si argument për të rihapur çështjen e tij, Izet Haxhia ka kërkuar që të ballafaqohet me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi, sipas Haxhisë, ka qenë pikërisht Sali Berisha që e ka denoncuar për vrasjen e Azem Hajdarit.
Edhe pse kjo ishte një kërkesë e parakohshme, pasi ende nuk është vendosur rihapja e procesit, u kuptua që ballafaqimi mes Izet Haxhisë dhe Sali Berishës do të jetë një nga provat më të forta me të cilën Haxhia pretendon të rimarrë pafajësinë.
Ndërsa nga provat shkresore, që sipas Haxhisë dhe avokatit të tij vërtetojnë pafajësinë, është një dokument i SHIK-ut të vitit 1998, që i dërgohet ish-Presidentit Rexhep Mejdani dhe ish-kryeminsitrit Pandeli Majko për vrasjen e Azem Hajdarit.
Në këtë dokument, emri i Izet Haxhisë nuk përmendet në asnjë rresht si autor apo bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Ndërsa mungesën e tij gjatë kohës që u zhvillua procesi, Haxhia e argumentoi me rrezikun që i kanosej jetës së tij.
Gjithsesi, prokurori Petrit Bica kërkoi kohë që të njihej me pretendimet e Izet Haxhisë dhe provat përkatëse. Për këtë arsye, gjyqtari i çështjes, Besnik Hoxha e shtyu gjyqin për javën e ardhshme në të njëjtën ditë.
Top Channel