Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhej të ishte mbledhur dy javë më parë, por u shty për këtë të mërkurë dhe mbledhja mbërrin në një periudhë të nxehtë politike.
Presidenti Ilir Meta priti në selinë e tij Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj si anëtarë të këtij Këshilli.
Mbledhja realizohet në kulmin e akuzave të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, ku në shënjestër është vëllai i tij, Agron Xhafaj. Partia Demokratike e cilëson këtë të fundit si organizator të trafikut ndërkombëtar dhe akuzon Fatmir Xhafajn se e ka mbrojtur, madje duke falsifikuar nenin 491 të Kodit Penal, i cili bën fjalë për ekstradimet.
Vetë Agron Xhafaj raportohet se këtë të mërkurë ka udhëtuar në drejtim të Italisë, ku u është dorëzuar autoriteteve italiane. Ai është dënuar në këtë shtet me 7 vite e dy muaj burg kohë më parë.
Por, Partia Demokratike akuzon se Agron Xhafaj vazhdon të kontrollojë trafikun e drogës drejt Italisë nga Vlora dhe pak ditë më parë paraqiti një audio-regjistrim, në të cilin pretendon se flet Agron Xhafaj me një tjetër person të dyshuar për trafik droge.
Kryeministri Edi Rama e quajti një mashtrim audion e publikuar nga demokratët dhe thotë se gjitha bëhet për të destabilizuar vendin.
Audio-përgjimi u mor nga Prokuroria, që pritet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një material origjinal, apo montazh.
Top Channel