Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka vijuar turin e llogarindhënies me banorët e Dvoranit, në qarkun e Korçës, prej nga bëri të ditur se 90 % e fermerëve aplikues janë fitues paraprake.

“Unë dua t’jua them të gjithë atyre që aplikuan në mollë psh, meqenëse këtu jemi në vendin e mollëve, kanë fituar të gjithë, 100%. Të gjithë ata që shkuan dhe aplikuan për mbjellje të reja për mollë, kanë fituar, pra janë shpallur fitues. Në total pothuajse 90 % e aplikantëve janë shpallur fitues dhe për masat e tjera, siç është vaditja me pika, apo investime të tjera në fermë, apo për matrikullimin, ata që kanë aplikuar për rimbursimin e qumështit, atë 100 lekëshin për litër të qumështit. Pra, numri i fituesve në raport me aplikantët është shumë i lartë këtë vit”, tha Peleshi.

Ai tha se sapo është mbyllur thirrja dhe gjysma e grantit prej 20 milionë euro të skemës kombëtare financiare të subvencioneve shkon për fermerë e blegtorë dhe gjysma tjetër për agropërpunim.

“Ministria e Bujqësisë sapo ka përmbyllur “Thirrjen” dhe ka marrë aplikimet për Skemën kombëtare financiare të subvencioneve dhe granteve që ishte 20 milionë euro këtë vit. Pothuajse, gjysma e tyre më shumë se 50% shkon për subvencionet e fermerëve dhe blegtorëve dhe pjesa tjetër shkon në investimet në agropërpunim, magazinim, linja prodhimit. Patëm një numër të lartë, të kënaqshëm aplikimesh, 30% më shumë se vitin e kaluar, edhe sepse ju mund ta konfirmoni, një pjesë e madhe këtu ka aplikuar. Aplikimi ishte shumë i thjeshtë këtë vit, ishte vetëm me kartë identiteti”,tha Peleshi.

Ministri Peleshi, sërish ka bërë thirrje për një besim më të madh në skemat dhe politikat që po ndërmerren, sepse vetëm kështu do të mund të rigjallërohet dhe të modernizohet bujqësia shqiptare. Shumë shpejt do të hapet “thirrja e parë” për Programin IPARD, që do të thotë një mundësi e artë për të gjithë fermerët, agropërpunuesit, blegtorët etj.

Top Channel