Numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve të lartë që aktualisht janë 9 nga 19 që duhet të ishin, fluksi i dosjeve të rekursuara dhe mos funksionimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor janë disa nga shkaqet e bllokimit të Gjykatës së Lartë.

Ky është shpjegimi zyrtar për stokun prej 23.900 dosje që presin në radhë për t’u gjykuar.

“Ka disa vite që Gjykata e Lartë nuk funksionon me kapacitet të plotë të gjyqtarëve. Ndërkohë që mbarimi i mandateve të disa gjyqtarëve, të cilët janë larguar nga gjykata, ka sjell reduktim të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kësaj gjykate (dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë e mundur plotësimi i këtyre vakancave) dhe nga ana tjetër është rritur ndjeshëm edhe numri i prurjeve të dosjeve gjyqësore.

Aktualisht procesi i reformës në drejtësi dhe miratimi i disa ligjeve si: Ligji Nr.115/2016 ” Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe Ligji Nr.98/2016 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, e kanë të përcaktuar qartë se si do të funksionojë Gjykata e Lartë dhe se si emërohen gjyqtarët në të.

Vetëm ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili përcakton numrin e gjyqtarëve në Gjykata e Lartë dhe i emëron ata në detyrë, mund të ndikojë disi në uljen e madhe të “backlogut”. Por ndërkohë, deri në pritjen e ngritjes dhe funksionimit të këtyre struktura, dosjet vazhdojnë të shtohen, dhe njëkohësisht edhe ngarkesa e gjyqtarëve”, reagim i Ida Vodica, këshilltare në Gjykatën e Lartë.

Top Channel ndoqi një ditë normale pune në Gjykatën e Lartë.

“Erdha sot për të parë datën, nuk ka dalë akoma. Kam katër vjet që e kam dorëzuar dhe është çështje civile”, shprehet një qytetar.

E mërkura, sipas kalendarit, duhet të ishte dita kur shqyrtohen çështjet penale, një vetrregullim ky nga vetë gjykata që ndërkohë ka caktuar të martën si ditën e gjyqeve administrative dhe të enjten si ditën e gjyqeve civile.

Me gjithë këtë stok, pra 23.900 dosje, Gjykata e Lartë sot e ka bërë pushim. Në kalendar nuk ishte caktuar as çështje civil as penale as administrative.

Por zyra e shtypit thotë se gjykata nuk ishte pushim, por se ka patur një ndryshim të axhendës dhe kjo e mërkurë nga dita e dosjeve penale ishte lënë si ishte dita e shqyrtimit në dhomë këshillimi. Por cilat ishin çështjet që Gjykata e Lartë u mblodh për t’u këshilluar, Top Channel nuk mori përgjigje.

Top Channel