Statuti i ri i PD, s’ndryshon neni për kryetarin. Në mbrëmje Këshilli Kombëtar

20/04/2018 12:49

Statuti do të vazhdojë të mos jetë pengesë për rikandidimin e Lulzim Bashës nëse humbet edhe zgjedhjet parlamentare të 2021-shit.

Me ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen votës finale në Kuvendin Kombëtar të 28 prillit neni për kryetarin nuk ka asnjë ndryshim thelbësor. Nuk parashikon dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Nuk parashikon as ngrirjen e funksioneve deri në zgjedhjen e kreut të ri, koncept që zoti Basha e praktikoi vete pas humbjes së thellë të zgjedhjeve deri në konfirmim e tij si kryetar me parimin një anëtar një votë.

Mësohet se motiv kryesor që në statut të mos parashikohet dorëheqja dhe për më tepër heqja e mundësisë së rikandidimit në rast të humbjes së zgjedhjeve është fakti se kundërshtarët në familjen politike do të punonin vazhdimisht për largimin e kryetarit dhe jo për forcimin e partisë.

Me parimin një anëtar një votë do të zgjidhen dhe kryetarët e grup seksioneve duke e fuqizuar shkallën e dytë të drejtimit të partisë në bazë. Ndërsa niveli më sipër, kryetarët e degëve do të vazhdojnë të zgjidhen nga kuvendet lokale. Por ata do të jenë pjesë e një organi të ri statutor që quhet kolegji i kryetarëve, i cili de facto ekzistonte pasi asnjë aksion politik nuk ndërmerrej pa konsultimin e tyre. Për marrëveshjet politike do të pyetet Këshilli Kombëtar, ndërsa për koalicione me parti të majta Kuvendi Kombëtar.

Statuti ka disa risi tjera, një prej të cilave zvogëlimi i kryesisë. Rikthehen anëtarët e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, 15 të tillë, përveç drejtuesve të lartë të partisë, sekretarëve funksionalë dhe kryetarëve të forumit të gruas dhe rinisë.

Sa i përket zgjedhjes së kandidaturave për deputetë, statuti parashikon që pas konsultimit me anëtarësinë, me propozimin e Kryetarit të Partisë, Kryesia e vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale.

Por vulën finale e ka Këshilli Kombëtar. Ajo çfarë Genti Malko si anëtar kritik në grupin e punës thotë se ka arritur është theksimi i parimeve ideologjike të PD, detyrimet ligjore për dekriminalizimin, lustracionin dhe pastërtinë e figurës dhe garantimin e karrierës për çdo kandidat që kërkon funksione politike në parti.

Por as ai dhe as Edit Harxhi nuk arritën të fusin konceptin e dorëheqjes së kryetarit kur humbet zgjedhjet, sikundër nuk figuron askund as premtimi i Lulzim Bashës për zgjedhjen apo votëbesimin çdo dy vjet të drejtuesve të partisë duke nisur nga kryetari.

Ristitë e statutit:

Risitë kryesore të draft statutit të PD bazohen në 3 shtylla kryesore që garantojnë zgjerimin e demokracisë së brendshme dhe përfshirjen e antarësisë në vendimmarrje.

1. Siguron garë të ndershme dhe të barabartë në të gjitha nivelet, duke nisur nga kryetari i partisë.
2. Transferon pushtetin në organet kolegjiale, duke forcuar Kryesinë, Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin Kombëtar.
3. Vendos sistemin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve. Kryetari zgjidhet me 1 anëtar, 1 votë nga anëtarësia, por shkarkohet me propozimin e gjysmës së Këshillit Kombëtar dhe me miratimin e Kuvendit Kombëtar.

Parimi “1 anëtar, 1 votë” zbatohet për konsultimin e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve garanton sipas rregullave të reja statutore që procesi i përzgjedhjes së kandidaturave të jetë demokratik dhe transparent:

1. I hapur për propozime.
2. I bazuar në kritere ta shpallura.
3. I bazuar në konsultimin e anëtarësisë.
4. I bazuar në respektimin e kritereve të karrierës në parti.
5. I votuar në Këshillin Kombëtar.

Statuti i ri zgjeron kompetencat e Këshillit Kombëtar.

1. 15% e anëtarëve të Këshillit mund të propozojnë kandidatura alternative nga ato që propozon Kryetari dhe Kryesia.
2. Miraton marrëveshjet politike para dhe paszgjedhore
3. Zgjedh anëtarët e Komisionit të Integritetit dhe Etikës
4. Zgjedh anëtarët e Komisionit Zgjedhor.
5. Zgjedh Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve.

Garantimi i karrierës është një koncept i ri në draftstatut dhe vlerësimi bazohet në kritere të qarta, që do të zbatohen për cddo funksionar dhe të zgjedhur në PD:

1. Kohëzgjatjja e anëtarësimit
2. Kontributi në fushata elektorale
3. Aktivizimi në jetën politike dhe publike të vendit
4. Standardet e larta etike të pastërtisë së figurës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA