Ish-shefi i FBI-së, James Comey është hedhur në ofensivë të plotë kundër presidentit Donald Trump, njeriu që e shkarkoi nga posti majin e një viti më parë.
“Trumpi, – tha ai, – një njeri që gratë i trajton si ‘copa mishi’, është moralisht i papërshtatshëm për të drejtuar vendin”.
Në intervistën e tij të parë të rëndësishme që prej largimit nga detyra, Comey tha për “ABC News” se, shefi i Shtëpisë së Bardhë gënjen vazhdimisht dhe mund të ketë penguar drejtësinë.
“Nuk më bindin mua këto argumentet se, ai është mendërisht i paaftë, apo në fazat e hershme të çmendurisë. Unë nuk mendoj se ai është i papërshtatshëm për të qenë president nga pikëpamja mjekësore. Unë kam bindjen se ai është moralisht i papërshtatshëm për të qenë president. Kryetari ynë i shtetit duhet të mishërojë respektin e t’u qëndrojë vlerave në zemrën e këtij vendi. Më e rëndësishmja prej tyre është e vërteta. Ky president nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, tha Comey.
Pas transmetimit të intervistës, partia e Trumpit lëshoi përmes Komitetit Kombëtar Republikan një deklaratë, ku thuhej se turi i publicitetit të Comeyt për librin e tij të ri tregoi se, “besnikërinë vërtet më të lartë ai e ka për veten”.
Ky është zhvillimi më i fundit në grindjen e gjatë mes dy personave të fuqishëm, zjarrit të së cilës i hodhi benzinë edhe më shumë libri i kujtimeve të Comeyt: “Një besnikëri më e lartë: e vërteta, gënjeshtra dhe lidershipi”.
Trump pretendon se libri jocilësor, siç e përshkruan ai, ngre pyetje të mëdha. Ditët e fundit madje, presidenti amerikan ka sugjeruar se Comey duhet burgosur dhe ka nisur t’i referohet atij si “top fëlliqësish”.
Top Channel