Hithrat mblidhen duke përzgjedhur me kujdes vendin, pasi ato rriten kudo dhe nuk është mirë ti këpusim në vende ku shkelen nga këmba e njeriut, nga bagëtitë, apo marrin pluhurin e rrugës. Duhet ti mbledhim në një vend të pastër.

Pasi i kemi mbledhur bëjmë një seleksionim të çdo dege, një për një. Mbajmë vetëm gjethet e plota duke e zhveshur kërcellin e trashë, të cilin e presim sepse nuk mund të hahet. Ndërsa tre gjethet që gjenden në majë të degës së hithrës i mbajmë me gjithë kërcellin pasi janë të sapo çelura dhe shumë të buta. Pasi kemi seleksionuar hithrat, i grijmë imët dhe i shplajmë mirë me ujë të rrjedhshëm. Më pas jemi gati ta shtrojmë në tepsi dhe ti hedhim përbërësit e tjerë të cilët janë:

– Kripë,

– Miell misri,

– Pak oriz,

– Gjalp,

– Vaj ulliri

I përziejmë të gjithë këta përbërës me hithrat e grirë që kemi përgatitur më parë dhe fillojmë ti miksojmë më duar derisa të bëhet një masë e vetme. Sasia e çdo përbërësi varet nga sasia e hithrës që do përdorim. Por në tepsi gjithmonë duhet të ketë më shumë hithra se miell dhe oriz. Pasi janë përzier mirë I shtrojmë në një tepsi më të trashë që mund ta mbaj peshën e saçit.

Pasi i kemi shtruar në tepsi I hedhim përsëri një shtresë miell misri në sipërfaqe, të cilën pastaj e njomim me pak ujë.

Tani lakrori me hithra është gati për tu pjekur. Jasht kuzhinës përgatisim një vend të drejtë ku do të vendoset saçi. Ndërkohë, që më parë kemi ndezuar zjarrin për të siguruar një sasi të mjaftueshme prushi. Para se ta vendosim mbi lakror saçin e kemi mbajtur për rreth 30 minuta mbi zjarr që ai të nxehet duke e vendosur mbi një trekëndësh prej hekuri si bazament. Kur saçi është nxehur mjaftueshëm e heqim dhe tani mbi prush vendosim tepsinë me hithra. Sipër saj vendosim saçin e nxehur. Më pas marrim prush dhe një pjesë të tij e vendosim poshte tepsisë ndërsa me pjesën tjetër mbulojmë saçin. I vendosur në këtë mënyrë lakrrori me hithra do rreth 20 minuta që të piqet.

Pasi e heqim nga saçi tepsinë, parrim pak ujë të ngrohtë dhe në të shkrijmë pak gjalp fshati. Me lëngun që krijohet zbusim sipërfaqen e lakrorit që të marri edhe shije por edhe të mos bëhet një kore e fortë.

Top Channel