Perëndimi po lufton Rusinë për Ballkanin dhe “sulmi” më i fundit vjen nga Britania.

Shtatë vite pasi kishte mbyllur shërbimin ne Beograd, stacioni i BBC në gjuhën serbe po rikthehet sërish, duke hapur edhe një faqe interneti e duke lidhur bashkëpunime me mediat vendase. BE, nga ana tjetër, ka kohë që e ka rikthyer angazhimin në Rajon.

Kjo lëvizje është pjesë e një “lufte të butë” për të ushtruar ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos në Serbi, ku mediat pro-ruse kanë përhapur plot lajme të rreme (një i fundit nga media ‘Sputnik’, e paguar nga Kremlini, thoshte se NATO do të bënte manovra ushtarake në Bosnje-Hercegovinë duke përdorur uranium të konsumuar).

BBC do të konkurrojë edhe mediat kombëtare vendase, të cilat nuk raportojnë fare ose raportojnë shumë pak lajme kundër qeverisë së Presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Tregu mediatik the situata e përgjithshme është bërë më e vështirë”, thotë Artyom Liss nga Serbia, kryeredaktori rajonal për Europën në BBC World Service. “Mendojmë se ka kërkesë për atë që ofron BBC kudo që shkon: raportim të saktë dhe të ekuilibruar.”

Rikthimi i BBC në Serbi vjen në një kohë që perëndimi e ka shtuar përqendrimin në Ballkan, të shqetësuar nga prania e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe vende të Gjirit (të cilët kanë vite që përpiqen ta shtojnë ndikimin në zonë), prani që mund t’u japë fuqive rivale më shumë dorë të lirë në juglindjen e Europës. BE shpalli një strategji të re për Ballkanin Perëndimor vetëm muajin që shkoi, ku thuhej se Serbia dhe Mali i Zi mund t’u bashkohen rreth vitit 2025.

Vuçiç e ka shpallur hapur qëllimin e tij për ta futur Serbinë në BE dhe ka përshtatur politika që janë lëvduar nga Brukseli. Por, në të njëjtën kohë, ka ruajtur lidhje të forta edhe me Rusinë, një aleat tradicional i Beogradit. Ndërkohë, kritikët në Serbi dhe jashtë saj e akuzojnë se ka vendosur regjim autoritar. Teksa flet pozitivisht për pranimin e Serbisë në BE, ai dhe shumë nga ministrat e tij përdorin ende retorikë të ashpër kundër perëndimit si dhe vazhdojnë të lëvdojnë Moskën.

Angazhimi financiar rus në Serbi është shumë i vogël në krahasim me investimet që ka bërë BE, në forma nga më të ndryshmet. Por nisma të shumëllojshme, pjesë e “luftës së butë”, bëjnë që Moska të ruajë një prani të madhe në opinionin publik. Ekzistojnë më shumë se 100 organizata serbe që reklamojnë miqësinë me Rusinë, sipas një studimi të kryer në vitin 2016 nga Qendra për Studime Euro-Atlantike, një grup ekspertësh me bazë ne Beograd. Mes tyre janë tetë portale interneti, gjashtë media ruse që kanë zgjeruar degët në Serbi dhe rreth 16 media vendase me lajme pro Kremlinit.

Por vështirësitë për BBC dhe të tjerët që e shohin veten në ballë të përpjekjeve për të siguruar informacion të paanshëm vijnë jo vetëm nga Moska, por edhe nga vetë Serbia.

Foto: Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç mohon të ketë dobësuar median e lirë| Elvis Barukcic/AFP via Getty Images

Analistët kanë vënë re një rënie të lirisë së shtypit në vend. Renditja e Serbisë në “Idenksin për Lirinë e Shtypit”, të hartuar nga “Freedom House”, ka rënë ndjeshëm që nga viti 2011, me rënien më të madhe të shënuar në vitin 2014, kur Vuçiç u bë kryeministër (vjet u zgjodh President).

Qeveria e Vuçiçit mohon të ketë prekur lirinë e mediave. Por Vuçiç ka sulmuar shumë media, duke i quajtur “plehra” e duke i përshkruar vazhdimisht gazetarët si “gënjeshtarë”.

Mbijetesa në demokraci

Disa media të pavarura kanë arritur të mbijetojnë edhe gjatë regjimit të egër të Sllobodan Milosheviçit, që vazhdoi gjatë luftërave të viteve 1990. Radio Stacioni B92, agjencia e lajmeve Beta dhe Studio B arritën të mbajnë largësi nga regjimi i tij në ato vite.

“Por edhe këto media janë luhatur për shkak të privatizimeve të dyshimta, vetë-censurimit dhe varësisë që kanë nga agjencitë qeveritare për të ardhurat”, thotë Snjezana Milivojenoviç, mësuese gazetarie në universitetin e Beogradit. Në vendin e tyre kanë ardhur media që kanë marrëdhënie miqësore me qeverinë, si TV Pink dhe TV Happy, të cilat fokusohen më shumë në lajmet e argëtimit.

“Media e pavarur i mbijetoi diktaturës, por s’ka për t’i mbijetuar demokracisë. Ka nisur gjuetia kundër mendimit të pavarur”, thotë Milivojenoviç. “Demokracia është në rrezik serioz”.

Zërat që kanë mbetur të pavarur janë bërë prè e shpifjeve baltosëse në internet nga tabloidët pro-qeveritarë. Kur një OJQ në Beograd, “Qendra Kërkimore për Transparencë dhe Llogaridhënie”, botoi përpara zgjedhjeve të 4 Marsit një raportim që tregonte se partia e Vuçiçit shfaqej në ekranin e TV Pink katër herë më shpesh se opozitarët, gazetarja e OJQ, Tamara Skrozza, u cilësua “armike e kombit” nga kanali televiziv. Enti rregullator i mediave në Serbi mori rreth 300 kallëzime për atë përshkrim, por si përfundim u shprehën që Pink TV nuk kishte shkelur ndonjë standard.

“Kjo është një retorikë e rrezikshme që e ka zanafillën te krerët e qeverisë”, thotë Milivojenoviç.

Një studim i botuar kohët e fundit nga BIRN, një OJQ pararojë në rajon për gazetarinë, thotë se 70% e gazetarëve në Serbi kanë raportuar se kanë hasur presione nga autoritetet, kryesisht prej degëve të qeverisë qendrore.

Stevan Dojçinoviç, kryeredaktor i “Rrjetit të Raportimeve të Krimit dhe Korrupsionit”, një media e pavarur investigative në Serbi, tha se mediat kryesore në vend janë edhe më të rrezikshme se ato ruse.

“Shumica e lajmeve të rreme, (fake news) vijnë nga media kryesore dhe qeveria. Po, ka lajme që vijnë nga Rusia, por janë fake news të dorës së dytë”, tha ai. “Është vërtet katastrofë. U rritin vlerat kriminelëve të luftës dhe bëjnë propagandë në favor të qeverisë”.

Dojçinoviç dhe organizata e tij kanë qenë prè e një fushate të gjatë baltosjeje nga tabloidët pro-qeveritarë. Gazetarët e tyre janë ndjekur nga pas, dhe madje në apartamentin e njërit kanë hyrë persona që nuk kanë vjedhur asgjë.

Putini në qarkullim

Mediat pro-qeveritare dhe pro-ruse kanë një përgjigje të thjeshtë për kritikët e tyre: japin atë që mbështet publiku.

Draga Vuçiçeviç, pronar dhe kryeredaktor i tabloidid “Informer”, e pranon hapur favorizimin që i bën Vuçiçit dhe lidhjeve të tij me Rusinë. Në zyrën e tij dhe në sallonet e konferencave ka portrete të Putinit. “Por”, thotë ai, “këto pikëpamje sjellin edhe përfitime.”

Foto: Tabloidi “Informer” në Beograd uron fitoren e Donald Trump-it në tabelat e rrugëve, në Nëntor të vitit 2016| Oliver Bunic/AFP via Getty Images

“Unë jam biznesmen. Në ditë të zakonshme ne shesim rreth 120,000 kopje. Pra, jemi tabloidi më i shitur në Serbi. Kur vendosim kalendarë me Putinin, shesim 250,000”, tha ai.

“Po të vija Catherine Ashton apo Juncker-in në kalendar s’do të kisha shitur as 12 kopje”, shton ai duke qeshur, duke iu referuar ish shefes së politikës së jashtme në BE dhe presidentit të tanishëm të Komisionit Europian.

“Çdo gazetë ka opinionin e vet. Të gjithë e dinë se kë do të mbështesë ‘New York Times’ para zgjedhjeve. Politika jonë editoriale ka qenë e qartë që ditën e parë: BE është një projekt i dështuar që po rrënohet”, thotë Vuçiçeviç.

Ai mbrojti sulmet që ka ndërmarrë “Informer” kundër zërave kritikë, si Dojçinoviç, të cilin tabloidi e ka emërtuar “agjent i huaj” dhe “sadomazokist”. Ai thotë që Dojçinoviç është figurë publike, dhe publiku ka të drejtë të dijë rreh tij – duke kujtuar “Watergate” dhe filmin e ri “The Post”, që flet rreth Washington Post dhe Pentagon Papers.

“Dojçinoviç nuk është shofer autobusi. Ai bën sikur është gjykatësi më i madh moral në Serbi”, thotë Vuçiçeviç.

Për kritikët e tij, “Informer” është media që bën gjyqtarin, dhe aspak në mënyrë pozitive. Duke i bërë jehonë kritikave që Vuçiç i bëri medieve të tjera, ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, tha vitin e shkuar se “Informer është plehrë ordinere”.

Bindja politike

Këshilltarja e Vuçiçit për marrëdhëniet me median, Suzana Vasilijeviç, tha se shumë organizata mediatike që hiqen si të pavarura drejtohen nga kundërshtarë të vjetër politikë të presidentit.

“Tani përdorin ndikimin mediatik për të sulmuar qeverinë dhe politikat e shtetit”, thotë ajo në një e-mail.

Ajo tha se këto media përmendin shpesh që Vuçiç ka qenë Ministër Informacioni i Milosheviçit, por kjo “është gjëja më idiote që mund të bëjnë. Sepse është shumë e lehtë për ne të shpjegojmë që kjo detyrë ka qenë 20 vite më parë, në rrethana krejt ndryshe”.

Foto: Deri tani, BBC ka shfaqur shenja se di ta kuptojë tregun ballkanas. Carl Court/Getty Images

Vetë Vuçiç e ka bërë të qartë që as median më të re në tregun Serb nuk e sheh si të paanshme.

“BBC po hap një degë në Serbi. Dhe s’ka asnjë problem, sepse Serbia është vend i lirë. Britanikët kanë të drejtë të paguajnë për të”, tha ai në një intervistë për TV Pink në dhjetor. “Por populli serb duhet ta kuptojë që informacioni i tyre nuk është objektiv. Është informacion në interes të një mbretërie”.

Shërbimi i ri i BBC ka treguar se e njeh tregun vendas. Një nga artikujt e parë ishin rreth një personi në Britani që i kishte dhënë policisë vendase një kartë identiteti të falsifikuar për “Del Boy”, personazhi kryesor i “Only Fools and Horses”, një serial i vjetër i BBC që vazhdon të jetë shumë popullor në publikun ballkanas.

 Valerie Hopkins, Politico.eu

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA