Në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, kryesisht të Tiranës kanë nisur zhvillohen diskutime lidhur me bullizmin dhe komunitetin LGBT, si pjesë e një fushate për ndërgjegjësimin mbi të drejtat e njeriut.
Kjo fushatë ka ngjallur reagime dhe ka zëra që thonë se kjo po realizohet pa dijeninë e Ministrisë së Arsimit. Por, vetë Ministria e Arsimit mohoi një gjë të tillë. Përmes një deklarate, ky institucion njofton se fushata është pjesë e strategjisë kombëtare për barazi gjinore 2016-2020.
“Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në zbatim të rekomandimeve, por edhe detyrimeve që burojnë nga këto strategji dhe plane veprimi, po vijon konkretizimin e këtyre nismave në bashkëpunim me organizatat jo qeveritare për informimin dhe ndërgjegjësime të mëtejshëm të target-grupeve të ndryshme”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Ministria thotë se ka nisur trajnimi i mësuesve dhe i komunitetit të prindërve, trajnime që synojnë mënjanimin e steriotipeve gjinorë dhe të diskriminimit, si pasojë e orientimit seksual.
“Aktivitetet ndërgjegjësuese synojnë reduktimin e praktikave diskriminuese, praktika këto që janë zhvilluar me mbështetjen dhe mbikëqyrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendorë dhe drejtuesve të shkollave dhe mësuesve të lëndëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.
Top Channel